Berisha mbështet protestën në Rrjoll: Kërkojmë respektim pronësie

Berisha u përgjigjet protestuesve të Rrjollit: Ju mbështesim, mbi dokumente të sakta

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu është përgjigjur sot banorëve të Rrjollit, të cilët po protestojnë kundër ndërtimit të një kompleksi turistik, duke argumentuar se toka është tjetërsuar pronësia e saj.

Nga foltorja e PD-së, Berisha deklaroi se deputetët demokratë po e ndjekin çështjen dhe se ai mbështet çdo protestë të banorëve.

“Ne kërkojmë dhe insistojmë në respektimin e plotë të të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të tjera të qytetarëve. I them atij qytetari që nuk është e vërtetë që PD nuk është interesuar. Ai mund të mos e dijë, dhe kjo është normale. Por deputetët e PD-së kanë qenë aty dhe janë marrë me problemin, dhe vazhdojnë ta bëjnë”, tha lideri i opozitës.

Megjithatë, ai shtoi se gjithçka duhet të bazohet mbi dokumente.

“Natyrisht, ne mbështesim protestën pa diskutim, kur problemet janë bazuar mbi dokumente të sakta, zyrtare, të vërteta. Unë nuk i diskutoj këto. Apriori nuk hedh poshtë asnjë pretendim të atyre protestuesve, ndaj dhe ne po shohim, po e ndjekim. A duhet të bazohet mbi dokumente? Duhet. Sepse nuk kam asnjë lloj dijenie nëse toka është blerë apo jo. Por ne po e ndjekim këtë zhvillim. Ne jemi kategorikisht kundër prekjes qoftë edhe të një metër katrorë toke të pronarëve privatë”, u shpreh kryedemokrati.

Scroll to Top