Berisha: Mbështetje ndërkombëtare për opozitën, kritika ndaj qeverisë

### Të ngremë zërin më 22 Mars, deklaron Berisha nga Samiti i PPE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se mbështetja ndërkombëtare për opozitën shqiptare është në rritje. Sipas tij, po shtohen gjithashtu masat ndëshkuese ndaj qeverisë, pas pjesëmarrjes së tij në samitin e Partisë Popullore Europiane (PPE).

Berisha ka bërë të ditur se në këtë samit morën pjesë liderë shtetesh, kryeministra dhe drejtues të partive të qendrës së djathtë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe ato në proces integrimi, përfshirë Partinë Demokratike si anëtare e asociuar. Samiti, i cili u zhvillua pas 50-vjetorit të PPE-së, u fokusua në çështje globale, si kriza energjetike e lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme, si dhe lufta në Ukrainë, ku u riafirmua mbështetja e plotë ndaj Ukrainës përballë agresionit rus. Një temë tjetër kyçe ishte konkurrueshmëria në Bashkimin Europian dhe koordinimi i politikave mes qeverive të djathta.

Gjatë qëndrimit në samit, Berisha theksoi se ka zhvilluar takime me kryeministra dhe drejtues të PPE-së, ku ka prezantuar situatën politike në Shqipëri, duke e cilësuar atë si “dramatike”. Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për deformim të proceseve demokratike dhe për largimin e Shqipërisë nga standardet europiane, duke iu referuar edhe një raporti ndërkombëtar që e klasifikon vendin si “autokraci elektorale”.

Në këtë kontekst, Berisha theksoi se ndërkombëtarët janë gjithnjë e më kritikë ndaj qeverisë shqiptare dhe më mbështetës ndaj opozitës. “Mbështetja për opozitën shqiptare po rritet vazhdimisht, ndërsa dënimi dhe masat ndëshkuese ndaj qeverisë janë në rritje,” u shpreh ai.

Duke iu referuar protestës së planifikuar, Berisha u shpreh: “Natyrisht, sytë, mendjet e miqve tanë, partnerëve tanë në Evropë dhe në botë janë të drejtuar tek qytetarët shqiptarë, tek opozita shqiptare, qëndresa e tyre ndaj këtij regjimi, përpjekja e tyre për largimin e tyre. Kështu që 22 marsi, këtu nga Brukseli shfrytëzoj rastin, nga ky moment historik siç ishte kremtimi i 50-vjetorit të PPE dhe samiti i liderëve kryesorë, kancelari Merz, Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian dhe liderë të tjerë të pranishëm, pra shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje shqiptarëve më 22 mars në kryengritjen tonë paqësorë të ngremë zërin fuqishëm, të ushtojë në Shqipëri dhe në Evropë dhe në botë zëri i protestës, zëri i kryengritësve paqësorë shqiptarë.”

Gjithashtu, Berisha pohoi se dosja “Balluku” është në thelb dosja “Rama”. “Çështja Belinda Balluku është çështja Rama. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe me shqiptarët të Edi Ramës janë përmbysur për shkak se dosja Balluku është dosja Rama. Dosja AKSHI është dosja familjare e Edi Ramës. Në këtë aspekt, Edi Rama është në rrethin e kuq dhe i pashpresë,” tha ai.

Scroll to Top