Berisha: Mediat e kontrolluara nga qeveria synojnë të mbështesin regjimin e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se mediat e kontrolluara nga qeveria po përpiqen me çdo kusht të mbështesin atë që ai e cilëson “regjimin mafioz të Ramës”.
Gjatë një tubimi, Berisha u shpreh se mediat paguhen nga Rama për të shtrembëruar realitetin, duke theksuar se në debatet televizive flitet për Tiranën dhe Shqipërinë sikur të ishin qytete si Praga apo Parisi.
“Sot, mediat e kontrolluara nga qeveria, 24 orë në 24, 7 ditë në javë, shpërndajnë mashtrime dhe trillime me vetëm një qëllim: të mbajnë me çdo kusht në këmbë regjimin mafioz të Edi Ramës, pasi ai i ushqen ato me paratë që vidhet nga qytetarët,” tha Berisha.
Ai shtoi se këto media paraqesin Tiranën dhe Shqipërinë sikur të ishin kryeqytete të vendeve ku demokracia është e paprekshme. Sipas tij, në këtë mënyrë barazojnë Edi Ramën, të cilin e quan “padrinon më të rrezikshëm të mafies së Ballkanit”, me njerëzit e lirë, udhëheqësit e lirë dhe qeveritë që respektojnë vullnetin e qytetarëve.
Berisha vijoi duke thënë se këto media përdorin një frazë standarde, e diktuar nga zyra e Edi Ramës: “Në një sistem demokratik…” duke pretenduar të legjitimojnë pushtetin e krimit. Ai i cilësoi këta media si “lakej dhe çakej të regjimit të krimit” që përpiqen të bindin shqiptarët se demokracia është një regjim që e rrëmben votën e qytetarëve me kartele droge, me miliarda euro, duke e blerë dhe duke e rrëmbyer me të gjitha mënyrat, duke i kthyer zgjedhjet në farsë.
“Në një sistem demokratik, thonë ata, lakej dhe çakej që ushqehen si shushunja me taksat tuaja, duan të mbulojnë vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës. Duan të mbulojnë përçmimin e madh që ai ka për qytetarët,” përfundoi Berisha.
