“`html
Berisha në Strasburg: Narkoshteti i Ramës rrezikon sigurinë e Europës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti situatën në Shqipëri si një rrezik serioz për sigurinë e Europës, duke e cilësuar atë si ‘narkoshtet’ të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë një debati në grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane (EPP) në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin për ‘terapinë konvertuese’, Berisha u shpreh se kartelet e drogës, të lidhura drejtpërdrejt me Ramën, dominojnë tregjet e drogës në Europë. Ai shtoi se Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.
Fjala e plotë:
Dje gjatë ditës, në debatin e zhvilluar në grupin parlamentar të EPP-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin e ‘Terapisë konvertuese’, paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar, me në krye Edi Ramën, apo siç quhet rëndom, ‘Ramaduro’ apo ‘Noriega i Europës’, për sigurinë e vendeve të rajonit dhe të Europës.
Në fjalën time, paraqita dominimin e tregut të drogës në Europë – marijuanës, heroinës, kokainës – nga kartelet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën, të komanduara direkt prej tij. Ai e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të larjes së parave të tyre, në qindra kulla, ndërtesa dhe resorte turistike.
Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Europës dhe parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre kundrejt këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël, i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit, por që regjimi e ka zhytur në drogë vetëm për qëllime elektorale.
Po kështu, duke u ndalur tek rreziku i madh që përfaqëson Shqipëria, u fokusova tek AKSHI, kopshti familjar i Edi Ramës, ku koordinatori kryesor i karteleve të drogës, së bashku me anëtarët e familjes Rama, kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Por mbi të gjitha, Ergys Agasi ka eksportuar të gjitha të dhënat e internetit që ekzistojnë në Shqipëri, tek klanet kriminale dhe armiqtë e NATO-s. Kjo është një rrezik i madh që Shqipëria shpërndan në rajon dhe Europë.
Mirëkuptimi ishte i plotë nga audienca.
Përveç kësaj, mora fjalën në debatin që u zhvillua për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë.
Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros, apo në kopshtin e lulëzuar të këtij të fundit, ku fëmijëve në kopsht dhe në shkolla fillore u jepen tekste, figurina dhe objekte mësimore për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë.
Theksova se kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë e botë.
Debatet për këtë çështje natyrisht nuk ishin të njëjta, por në tërësi u shprehën rezerva shumë të mëdha për raportin, i cili në një farë mënyre kërkonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve për ndryshim gjinie.
“`
