Berisha: Nuk shqetësohem nga takimi i anëtarëve të PD

Takimi i Salianjit me anëtarët më të votuar të primareve dhe listave të hapura, reagon Berisha

Kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka komentuar për News24 takimin e zhvilluar ditën e djeshme mes disa prej anëtarëve më të votuar të Partisë Demokratike, përfshirë Ervin Salianjin dhe Ilir Alimehmetin.

Berisha u shpreh se nuk është i shqetësuar për këtë takim. Ai theksoi se personat më të votuar në listat e hapura janë njerëz të nderuar me kontribute të pamohueshme në PD dhe se të kesh mendime të ndryshme në parti është gjëja më normale.

Megjithatë, ai nënvizoi se këta persona kanë instancat e tyre ku mund të shprehin mendimet. Ai përmendi se Ervin Salianji është anëtar i Kryesisë së PD, ndërsa Ilir Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Bashkinë e Tiranës.

Berisha shtoi se mirëpret çdo demokrat në zyrë dhe se secili prej tyre është i ftuar të shprehë mendimin e tij.

“Unë i shqetësuar? Jo. Njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili, Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres cdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu të jem i sinqertë”, u shpreh Berisha.

Scroll to Top