Berisha paralajmëron protestë të gjatë: Rama s’ka parë gjë akoma
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë tubimit të pestë para Kryeministrisë, ka bërë thirrje për një protestë të fuqishme kombëtare më 22 dhjetor, me qëllim rrëzimin e qeverisë. Ai i ka dërguar mesazhe të qarta kreut të mazhorancës, duke theksuar se nuk ka parë gjë akoma.
Berisha denoncoi abuzimet masive dhe skandalet e kreut të ekzekutivit, si dhe të zëvendëses së tij, Belinda Balluku, duke theksuar se ata vjedhin miliona përmes institucioneve dhe shtetit të kapur.
Ai bëri thirrje për mobilizim gjatë javës për të sensibilizuar shqiptarët, në mënyrë që të krijohet një front i gjerë për protestën. Qëllimet e protestës janë të qarta:
- Tre javë angazhim dhe zënie e sheshit deri në largimin e Ramës.
- Paralelisht me zhvillimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut.
“Pra, data 22 është data e protestës së përgjithshme kombëtare, datë në të cilën rrugët e Tiranës do ushtojnë: ‘Largohu hajdut se koha jote ka marrë fund!’ Ju garantoj se PD do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë. Ju garantoj se PD do përdorë të gjitha format e qëndresës dhe rezistencës deri në largimin e tij. Zënia për tre javë e këtij sheshi është mënyra më e mirë. Këtu duhet të betohemi, të vijnë këtu për të shpëtuar të ardhmen e tyre, familjen e tyre, vendin e tyre”, tha Berisha para mbështetësve.
Ai akuzoi pushtetin edhe për përdorimin e policisë politike, administratës dhe krimit të organizuar, duke manipuluar zgjedhjet e 11 majit me miliarda. Tani, theksoi ai, do të jetë “vota e qytetarëve”.
Berisha theksoi se shqiptarët nuk janë frikacakë dhe se fundi i qeverisë po afron. “Miliardat, policia politike e votës, krimi, me të gjitha këto shkatërruan zgjedhjet. Tani ne jemi vota, ne jymi guximi, shpresa dhe fitorja. I them frikacakut këtu se s’ke parë gjë akoma. Nëse i ke marrë shqiptarët për frikacakë, ke gabuar rëndë. Nga e hëna sot deri të hënën tjetër, të bëjmë gjithçka, të mbledhim guximtarë. Koha është e guximtarëve, fitorja jonë është e pashmangshme. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”, përfundoi Berisha.
