Berisha: PD e hapur, çdo demokrat ka të drejtën e fjalës brenda

Berisha për takimet e Salianjit: Çdo njeri ka të drejtën e fjalës brenda forumeve

Kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, theksoi se partia që ai drejton mbetet e hapur dhe mirëpret që çdo anëtar të shprehet lirshëm. Gjatë një takimi me demokratët e Mirditës, Berisha iu referua takimeve që ish-deputeti Ervin Salianji nisi ditën e djeshme në Durrës.

“Janë propozimet tuaja, kritikat tuaja, sugjerimet tuaja, tërheqja e vlerave nga secili prej jush në këtë parti, ato që do e ngrenë atë në lartësinë e përmbushjes së një misioni historik. E vetmja forcë politike në Europë që përmbysi dy diktatura dhe kjo do të jetë Partia Demokratike. Ne jemi dhe do të mbetemi parti e hapur, absolutisht parti e fjalës së lirë dhe e mendimit të lirë.

Në këtë parti, çdo njeri do të ketë të drejtën të kritikojë, të votojë kundër sipas vullnetit të tij të lirë. Por si çdo parti tjetër, ajo është një parti me rregulla të miratuara së bashku. Dhe ato duhet të respektohen. Nuk mund të imponohesh në atë mënyrë. E kam fjalën këtu, secili nga demokratët, çfarëdo gjëje që të ketë, duhet ta thotë pa asnjë hezitim, por brenda forumeve.

Secili demokrat do të ketë të drejtën të votojë për këdo. Të votojë i lirë. Por secili demokrat e ka për detyrë që tani të mendojmë si ta përsosim atë proces që futëm dhe zbatuam së bashku? Si ta bëjmë më solid, më të drejtë? Si t’i bëjmë ato lista? Listat janë tuajat, nuk janë të Tiranës. S’mund të bëjë Tirana lista. Si t’i bëjmë këto lista më të besueshme nga secili prej nesh?

Si të afrojmë ne, çdo njeri prej nesh, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua, me vlera, që e njohim. T’i themi: hajde, jemi në një betejë për një rëndësi të jashtëzakonshme”, – tha Berisha.

Scroll to Top