Berisha pro Senatit, ulje deputetësh & më shumë bashki

Bashkimi i votave me PS/ Berisha: Jemi pro Senatit, të ulet numri i deputetëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se është dakord me reformën zgjedhore që synon uljen e numrit të deputetëve në parlament. Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë një dhomë të lartë, siç është Senati.

Por, në lidhje me reformën territoriale, Berisha u shpreh se numri i bashkive duhet të jetë më i madh.

“Vendit i duhen 25-30 vite që të ketë dy dhoma: Senatin dhe Parlamentin. Unë jam dakord me këtë variant. Nëse Senati ndërtohet jo si një institucion bllokues, por si një mekanizëm frenues, atëherë i bën mirë vendit. Senati është i dobishëm; shumë vende e kanë, ndërsa të tjera jo. Shqipëria, nëse vendos të ketë Senat, duhet të pakësojë numrin e deputetëve. Për bashkitë, mendoj që të jenë më shumë.”

Berisha shtoi se PD ka vendosur një kusht që është pranuar: prania e OSBE-ODIHR në komisionin për Reformë Zgjedhore. Për reformën territoriale, ai kërkon praninë e ekspertëve të kongresit të autoriteteve rajonale të Europës pranë Këshillit të Europës, pasi sipas tij, ata kanë ekspertizën më të mirë të pushtetit vendor.

“Nuk ka nevojë për prekje të Kushtetutës për këtë. Por, nëse problemi është përcaktimi i Senatit në Kushtetutë, jam gati. Nuk kemi komplekse lidhur me këtë. Besojmë se është një institucion i dobishëm, jo duke rënduar buxhetin e taksapaguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve. Reforma vendore nuk ka nevojë për Kushtetutë. Ju siguroj që nuk ka,” tha Berisha.

Scroll to Top