Berisha publikon dokumente për gjyqtaren Gjoka: Autoritetet i kanë vendosur ekspuls
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga jashtë ambienteve të SPAK, ka hedhur sërish akuza ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke publikuar një dokument që, sipas tij, tregon se ajo ka hyrë në Greqi me vizë të falsifikuar.
Berisha deklaroi: “Fytyra e reformës në drejtësi, ikona e kësaj reforma është Irena Maneku Gjoka Spata. Një kriminelë e dënuar me vendim të formës së prerë të drejtësisë greke për falsifikim të vizës dhe që i ka fshehur vendimin, që sipas ligjit dhe kushtetutës së Shqipërisë e ndalon atë të ushtrojë detyrën apo funksionin e magjistratit.”
Ai shtoi se “Irena me 5 mbiemra ka fshehur ekspulsin dhe nuk e ka deklaruar. Kjo përbën vepër penale. Institucionet e kapura të KLGJ, SPAK, ILD nuk veprojnë për këtë krim flagrant.”
Sipas Berishës, ai paraqet “provën e re, vërtetimin e lëshuar nga drejtoria e policisë së Greqisë, ku vërtetohet ekspulsi nga territori grek, si pasojë e hyrjes në territorin grek me vizë të falsifikuar. Ky është dokument origjinal i lëshuar nga policia greke me vulë apostile. Ky dokument fshihet nga Altin Troplini.”
