Berisha: Qeveria kërkon ta asgjësojë opozitën
Kreu i PD-së, Sali Berisha, theksoi se qeveria kërkon të shtypë të gjitha potencialet e opozitës, duke synuar ta shndërrojë atë në një instrument të pavlerë.
“Mblidhemi sot në këtë mbledhje të jashtëzakonshme për shkak të një situatë të jashtëzakonshme, ku ne ndodhemi për shkak të vendosmërisë së pandalshme të ‘narkoqeverisë’ për të shtypur me të gjitha potencialet opozitën dhe opozitarizmin. Për ta shndërruar atë në një vegël apo instrument pa vlerë, për të ndaluar mbrojtjen e interesave të tyre, për t’ia mbyllur asaj gojën politikisht, për ta asgjësuar atë si forcë politike parlamentare.
Ne jemi dëshmitarë se në seancën e fundit u zhvilluan 10 seanca parlamentare. Në 9 prej tyre, qeveria i mohoi opozitës çdo debat për çdo çështje që erdhi në parlament, duke filluar nga programi i qeverisë e deri te miratimi i buxhetit. Ju jeni dëshmitarë, sepse në 10 seanca, ka pasur vetëm 1 seancë me debat, dhe ajo ishte për institucionet e drejtësisë.
Janë kaluar ligje, projektvendime, akte normative, dhe në asnjërën prej tyre nuk është lejuar opozita të debatojë, të marrë fjalën, të paraqesë mendimet, të mbrojë interesat e zgjedhësve. Si kurrë ndonjëherë në historinë 33-vjeçare të parlamentit pluralist nuk ka ndodhur. Sepse nuk mund të ndodhë që në 10 seanca parlamentare, opozita të ketë pasur mundësi të shprehet vetëm në njërën prej tyre,” tha Berisha.
