“`html
Berisha: Si po vidhen pronat e shqiptarëve nga qeveria e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një tubimi në Sukth, ka vënë në dukje situatën e rëndë që, sipas tij, ndodhet Shqipëria sot. Ai ka deklaruar: “Ne vijmë sot si një komb pa të ardhme.” Berisha ka argumentuar se mungesa e mundësive ekonomike dhe varfëria kanë nxitur largimin masiv të shqiptarëve.
“Nga viti 1990 gjer sot, lindjet në Shqipëri janë ulur 74%. Vetëm në hapësirën Shengen janë larguar 1 milionë e 100 mijë shqiptarë,” ka theksuar Berisha. Ai shtoi se ky fenomen prek më shumë të rinjtë.
“Nga ata që u larguan drejt BE-së, 720 mijë janë të moshës nën 40 vjeç. Askush nuk lind me dëshirën për t’u larguar nga vendi i tij. Kjo ndodh sepse, së pari, mundësia ekonomike po zvogëlohet gjithnjë e më shumë… sepse kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur,” ka thënë ai.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka folur edhe për Portin e Durrësit dhe atë të peshkimit. “Portin e Durrësit si port, prej 5 vitesh e kanë Troplinët. Portin e peshkatarëve… e mori Luca, një trafikant që ndiqej nga 5 shtete për trafik,” ka deklaruar ai.
Berisha denoncoi gjithashtu investimet publike të dështuara, të cilat, sipas tij, përfundojnë në llogaritë personale të qeveritarëve.
“90 deri në 100% e investimeve zhduken dhe nuk kryhen,” ka thënë ai, duke sjellë si shembull djegësin e Tiranës. “130 milionë euro keni dhënë ju për të. Po nuk është vetëm djegësi, janë kështu të gjitha investimet, të cilat janë vjedhur në masën 90% gjer në 100%.”
Ai ka shtuar: “Sa i përket vjedhjeve të tre drejtorëve të bashkisë së Tiranës, po të marrësh të gjitha vjedhjet e Byrosë Politike me në krye Enver Hoxhën për 46 vjet, janë më të vogla se ato të drejtorëve,” u shpreh kreu i PD-së.
Ai akuzoi gjithashtu Edi Ramën për keqmenaxhimin e taksave dhe përdorimin e tyre për interesa personale dhe politike.
“Në 12 vite, Edi Rama ka pasur në dorë me firmë 67 miliardë euro taksa tuaja. Përveç pagave, 90% deri në 100% e tyre janë vjedhur nga qeveria dhe klanet e veta,” tha Berisha.
Kryedemokrati ka vënë në dukje edhe marrjen e pronave nga ndërmarrja e investimeve strategjike, të krijuar nga Edi Rama dhe drejtuar nga Elira Kokona.
“Sot po shikoja unë se kush është Elira Kokona, pronarja e të gjitha pronave të shqiptarëve në emër të Edi Ramës, e cila kudo që të vërë lapsin, u merr shqiptarëve pronën, njëlloj si në vitin 1946. Por ua merr pa asnjë dokument,” ka theksuar ai.
Lideri i opozitës përmendi gjithashtu depozitimin e mbetjeve të rrezikshme nga qeveria në Durrës, duke i cilësuar si një rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve.
“Kanë depozituar në Durrës mijëra tonë helme më të rrezikshme për qytetarët,” tha ai, duke bërë thirrje për veprime ndaj Ballukut dhe institucioneve përgjegjëse.
“Kërkesa ultimative: largo Lubi Ballukun, hiqi imunitetin dhe të shkojë atje ku e ka vendin,” përfundoi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fund të fjalës së tij, u shpreh se protesta e opozitës dhe betejat e fundit të PD-së i kanë shpëtuar faqen kombit.
“Protestat tuaja gjatë javëve të fundit kanë qenë protestat më të rëndësishme që kemi bërë ndonjëherë… është misioni i shpëtimit të Shqipërisë,” tha Berisha.
“`
