Berisha: Gjithnjë e më shumë qytetarë kërkojnë të zënë sheshin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kërkesa për protestë po vjen gjithnjë e më shumë nga vetë qytetarët.
I pyetur për protestën e 10 shkurtit dhe mundësinë e një proteste të pandërprerë, Berisha tha se qytetarët do ta fitojnë këtë betejë.
“Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë një gjë të tillë. Unë i siguroj ata se kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe se ajo, në rastin më të parë të mundshëm, do të zbatohet. Pra, ata janë qytetarë të përgjegjshëm, që duan të përballen me këtë shtet të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme.”
Ai shtroi pyetjen: “Po si mundet një gjykatës Kushtetues të mos ndiejë përgjegjësinë ligjore? Të mos ndiejë përgjegjësi para qytetarëve, por të bëhet strofulla e fundit e hajdutit të tij?”
“Vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë. Nuk janë të paktë ata që po shkelmojnë mbi dinjitetin e tyre, ata që si shushunja po u thithin gjakun çdo ditë. Por prapë guximi qytetar, ndershmëria dhe morali qytetar është qindra herë më i fuqishëm se ata.”
“Kështu që, e kam deklaruar dhe e deklaroj, tani kemi një objektiv: largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve,” tha Berisha.
