Berisha: Rama dhe Balluku diskutojnë prapaskenat e takimit 7-orësh

Berisha: Zbulohen prapaskenat e takimit 7-orësh mes Ramës dhe Ballukut

Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një nga foltoret e tij me anëtarët e partisë, ka folur për takimin e zhvilluar javën e kaluar mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas vendosjes së masës së pezullimit nga detyra për këtë të fundit nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Sipas Berishës, Rama i ka kërkuar Ballukut dorëheqjen, por ajo ka refuzuar. Ai deklaroi se zv.kryeministrja i ka thënë Ramës se edhe ai ka mesazhe të rënda të dërguara ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, lidhur me dosjen e tunelit të Llogarasë.

Berisha citoi bisedën duke thënë: “Ka ndejtur këtu 7 orë, por fjala e popullit është 100% e vërtetë. Edhe muret kanë veshë. Çfarë ndodhi? I tha të japë dorëheqje, ajo tha jo. Rama i tha ‘sepse pastaj do shkosh në burg’. Balluku i tha, ‘Edi, ti nuk më del dot zot. Por ç’të bëj me mesazhet e tua? Mesazhet që më ke dërguar Evis Berberit janë shumë më të këqija se të miat. Mbi 60 mesazhe, ku tregon se ke diktuar çdo gjë’.”

Ai shtoi se gjatë këtij debati, Balluku i ka thënë Ramës që qeveria të shkojë në GJK, por kryeministri ka refuzuar, duke i thënë se do të shkojë vetë. Berisha konstatoi se si përfundim, Rama ka dërguar atë në GJK.

Berisha komentoi se ata që mendojnë se Edi Rama vepron për njerëzi ndaj Ballukut, mendojnë gabim. “Ai vepron për veten e tij. Sepse vetë nuk shkonte dot,” tha ai, duke shtuar se “nuk ka pasur kombi një hajdute më ordinere se Lubia Balluku, por në Ankara nuk shkonte dot për tunelin e Llogarasë. E mori Rama me vete. Në Ankara, pazaret i bëri Rama.”

Ai përmendi se Balluku merr pjesën e saj, por sipas tij, “Edi Rama është në Ankara dhe i Llogarasë, edhe i aeroportit të Vlorës, edhe i djegësve. Lista e tyre nuk ka fund.”

Duke e mbyllur, Berisha theksoi: “Morali i tyre është i shpëlarë. Imagjinoni, kanë vjedhur dhe nuk largohen. Jo, thotë populli. Do i largojmë. Këtë vend nuk e kemi zgjedhur kot.”

Scroll to Top