Berisha: Rama mori 50 mln euro nga tuneli i Llogarasë

Afera 50 milionë euro e tunelit të Llogarasë, Berisha: Paratë i ka marrë Rama!

Ashtu si në protestën para shtëpisë së tij, ku ishte në masë sigurie, Sali Berisha ka pagëzuar rrugën përpara Kryeministrisë si “Sheshi i Lirisë”. Në aktivitetin e radhës së “Foltores 2”, që zhvillohet çdo të hënë, kreu i Partisë Demokratike u shpreh para mbështetësve të tij se misioni kryesor është largimi i qeverisë aktuale, të cilën e akuzoi për varfërimin e vendit. Ai sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se ky i fundit po merr në mbrojtje zv.kryeministren Belinda Balluku.

“Ky është Sheshi i Lirisë. Kemi parë shumë pushtime dhe diktatura, por kurrë nuk jemi kthyer 100 vite pas si në këto vite. Nuk kemi humbur 45% të kontributit kombëtar si këto 10 vite. Nuk jemi varfëruar kurrë më shpejt. Nuk ka pasur një grup antikombëtar si sot. Jemi dëshmitarë të një krize të paimagjinueshme, e cila nxori para shqiptarëve hajdutin më të madh, Edi Ramën”, tha Berisha.

Sipas tij, akuza e bazuar në dokumente zyrtare për vjedhjen e 50 milionë eurove nga zv.kryeministrja, ka bërë që Edi Rama t’u thotë shqiptarëve se ai është hajduti dhe ka marrë paratë. “Ai tregon bërrylin drejtësisë dhe nuk e lejon atë. Nuk ka ndodhur kjo. Cilido do të kishte pasur vetëm një rrugë: largimin e menjëhershëm. Por nuk e largon dot, sepse paratë i ka marrë ai. Kjo është një shumë e vogël”, përfundoi Berisha para kryeministrisë.

Scroll to Top