Berisha: Rama mori kartonin e zi në Bruksel, në Mynih i përplasën derën në fytyrë
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në protestën e organizuar para Kryeministrisë, Berisha theksoi se kryengritja paqësore e opozitës u bë zëri i të gjithë shqiptarëve.
Ai u shpreh: “Ai është njeriu që ju e detyruat të dalë lakuriq si hajdut para shqiptarëve dhe botës. Me kryengritjen tonë arritëm t’i themi botës se kemi një ‘mostër’ në pushtet. Një njeri që e përdor pushtetin për të vjedhur nga mëngjesi deri në darkë, që përdor pushtetin për drogën dhe krimin. Por ne jemi të vendosur për ta larguar atë nga pushteti.”
Sipas Berishës, rrjetet televizive kanë transmetuar protestën e tyre për një kohë më të gjatë, sepse ajo ishte dëshmi e simpatisë së madhe që ata krijuan me vendimin e tyre për t’i dalë Zot Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Sot Rama, pasi në Bruksel i nxorën kartonin e zi dhe në Mynih i përplasën derën në fytyrë, vendosi të ndryshojë ligjin, me të cilin beson se ai dhe ministrat e tij nuk do të veprojnë drejtësisht, por drejtësia do të veprojë mbi ta. Do të veprojë populli mbi ta”, tha Berisha.
