Berisha: Rama përdor mandatet për mbrojtjen e vjedhjeve

Berisha: Rama përdor mandatet e tij si mburojë për vjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka paralajmëruar se kryeministri Edi Rama do të përdorë mandatet e tij në Kuvend kundër votimit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Në fillim të mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Berisha deklaroi se Rama po vendos nesër “asgjësimin e pushtetit gjyqësor dhe mburojën e plotë për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve”.

Kryedemokrati shtoi se ky vendim do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Mblidhemi një ditë para se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, të përdorë mandatet e tij si bajoneta kundër çdo shqiptari. Mblidhemi në një kohë kur për të mbrojtur lëkurën e tij, për të mbrojtur krimet që ka kryer, ai vendos t’i mbyllë dyert drejtësisë shqiptare. Vendos de facto asgjësimin e pushtetit gjyqësor. Vendos mburojën e plotë të mazhorancës së krimit, apo të mandateve të krimit, për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve. Vendos në kuadrin e një skenari më të zi, skenarit të shkëputjes së Shqipërisë nga procesi i BE, pas përpjekjesh të jashtëzakonshme të bëra ndër vite për një ëndërr të shqiptarëve. Një ëndërr të rilindasve tanë.

Tani del një haxhi Qamil, një bandit pa nder, pa flamur, që vetëm pak muaj më parë bërtiste për pasaportën europiane, ndërsa tani u nxjerr pasaportën e Beogradit. Ky është një akt i rëndë,” u shpreh Berisha.

Scroll to Top