“`html
Berisha: Pse Rama u refuzua në Konferencën e Sigurisë në Mynih
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat të mbajtur të premten, deklaroi se refuzimi i kryeministrit Edi Rama në Konferencën e Sigurisë në Mynih përfaqëson kulmin e ndëshkimit diplomatik të një individi që mbron krimin.
Berisha theksoi se nuk ka pasur kurrë precedent që një vend anëtar i NATO-s të përballet me mbylljen e dyerve në Forumin e Davosit. Ai shtoi se përpjekjet e opozitës shqiptare për rivendosjen e rendit kushtetues, shtetit ligjor, zgjedhjeve të lira dhe luftën kundër krimit e korrupsionit nuk do të ndalen.
Duke cituar fjalën e tij, Berisha u shpreh:
- “Është një rast për të shprehur mirënjohje ndaj të gjithë atyre që i ofruan Edi Ramës atë që meriton.”
- “Një mirënjohje e pakufishme ndaj të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që u mblodhën në të katër anët e Shqipërisë në kryengritjen e tyre paqësore për të bërë që të dëgjohet zëri i tyre për aktet, vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe aktet e tjera, në të gjitha kancelaritë e mëdha të Europës dhe të botës.”
- “Një situatë e tillë, duhet të garantoj, se është nga më të papërsëriturat në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.”
- “Nuk ka ndodhur kurrë që një vendi anëtar të NATO-s, t’i mbyllen dyert në forumin e Davosit, të mos lejohet të shkojë, me gjithë faktin se kishte deklaruar se me nder të madh pranonte anëtarësinë e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Por i zoti i shtëpisë, iniciatori kryesor i këtij forumi, nuk donte të turpëronte sallën Edi Rama me praninë e tij. Dhe ai mbeti pa ftesë.”
- “Por për t’i vënë kapak damkosjes së njeriut që përdor mandatet e krimit për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin, vjedhjet e tij, për t’i vënë kapak ndëshkimit diplomatik dhe politik të hajdutit që përdor Lubinë si parzmore për mbrojtjen e vet, është kjo e pashembullta në historinë e Konferencës së Sigurisë në Mynih ku marrin pjesë ndër më të rëndësishmit të sigurisë në Europë dhe në botë.”
- “Pra, natyrisht ju nuk mund të keni njoftim zyrtar nga Edi Rama, por unë u them se ekipi i dërguar mbeti i tronditur, ndërsa në tavolinën gabimisht protokolli kishte vendosur edhe emrin e Edi Ramës, sepse do të ishte. Por dikush u kujtua dhe shkoi dhe e hoqi dhe atë, dhe Edi Rama nuk shkon dot në Mynih.”
- “Është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për përpjekjen e opozitës shqiptare, për rikthimin e rendit kushtetues, rikthimin e shtetit ligjor, zgjedhjeve të lira, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.”
- “Ata, të cilët sulmojnë Sali Berishën se po njollos, sipas tyre Shqipërinë, u them puthuni me Dash Sulën, se Sali Berisha po mbron interesat e çdo shqiptari të ndershëm, e çdo atdhetari që e do Shqipërinë, e çdo qytetari që shikon të ardhmen e tij në vendin e tij. Çdo shqiptari që do familjen e tij.”
“`
