Berisha: Shqipëria s’ka plotësuar kushte për BE, Rama dëmton vendin

Berisha: Shqipëria s’ka plotësuar asnjë kusht për t’u anëtarësuar në BE

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama po dëmton vendin në rrugën e tij drejt integrimit evropian. Ai shtoi se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e nevojshme për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, dhe se Rama po përpiqet ta kthejë vendin në situatën e vitit 1992.

“Rama po shkon drejt fundit të merituar. Atij i komunikohet se qëndrimi i tij është i papajtueshëm me shtetin ligjor dhe standardet europiane, dhe se ai po përpiqet ta zhbëjë procesin e integrimit dhe ta kthejë atë në kushtet e vitit 1992. Ky është një veprim që nuk është marrë kurrë më parë ndaj një vendi. Ky veprim nuk është ndërmarrë kurrë sepse nuk ka pasur dhe nuk ekziston në histori një rast i krahasueshëm me Ramën dhe me Lubi Ballukun. Ju rikujtoj një moment kur një prokurore speciale, në dallim nga mashtrimet e Ramës, pezulloi jo një, por disa ministra. Kur ajo përgatiti dosjen për pezullimin e kryeministrit rumun, ai e mori vesh dhe dha dorëheqjen. Pezullime ministrash, siç ua kam faktuar këtu me emra dhe mbiemra e data, kanë ndodhur me dhjetëra raste. Rama po mbron veten e tij dhe po ndëshkon Shqipërinë. Ai kërcënonte Europën duke thënë: ‘ne jemi perspektiva europiane’. Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht të procesit të integrimit në BE. Sukseset e Shqipërisë me Edi Ramën janë mashtrime të mëdha. Ajo plotëson kushtin gjeostrategjik. Unë garantoj partnerët tanë, BE-në, se PD ka objektivin e saj më madhor, integrimin e Shqipërisë në BE, por në një mënyrë tjetër, në një rrugë tjetër. Kurrë me mashtrim dhe lobime mashtruese. Ne kurrë nuk kemi ndjekur një rrugë tjetër veç asaj të suksesit,” tha ai.

Scroll to Top