Berisha sulmon Bashën: “Kalbësirë e brendshme” në PD

Berisha për Bashën: Një “kalbësirë e brendshme” kapi PD-në

Nga Lezha, ku zhvilloi takimin e radhës si pjesë e turit të tij të “Foltores”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar edhe Lulzim Bashën. Gjatë fjalës së tij, Berisha iu referua Bashës si një “kalbësirë e brendshme” që tentoi të kapte partinë.

Sipas Berishës, Basha ditën bënte sikur ishte me demokratët, ndërsa natën vepronte me Edi Ramën, duke bërë pazare në kurriz të qytetarëve.

Berisha theksoi se demokratët ndërmorën një veprim të vështirë kur zgjodhën të ishin në anën e tij.

“Në qoftë se demokratët do të kishin një emër të dytë, do të ishte ‘të pamposhtur’. Asgjë nuk na mposhti ne, asgjë nuk e mposhti këtë parti. Ua thashë edhe njëherë, menduam se e fshinë nga harta politike, jo, përkundrazi, u ngritëm si Feniksi nga hiri. Në këto vite, ju, demokratët, të gjithë ju, kaluat kalvarin më të pamerituar, por edhe provën më të madhe të dinjitetit tuaj, provën më të madhe të guximit tuaj.

Një kalbësirë e brendshme e kapi PD-në. Një kryetar, të cilit ju i dhatë besimin, ditën ishte me ju, natën me Edi Ramën ndante paratë dhe pazaret. Punonte kundër jush, punonte kundër idealeve tuaja, interesave tuaja, sepse i tillë ishte Edi Rama në radhë të parë, por edhe ai. Një armik i pluralizmit, bastard, pasardhës i një xhelati që firmoste varjen në litar. Nga njëra anë hiqej si intelektual, skulptor, nga ana tjetër ulej dhe firmoste varjen e poetëve, varjen e qytetarëve të thjeshtë, krejtësisht të pafajshëm, vetëm si kundërshtarë politikë. Ky armik i egër i pluralizmit gjeti dobësitë dhe faktikisht po përpiqej ta rrënonte PD-në nga brenda.

Unë e them këtu, vendimi më i rëndësishëm i jetës tuaj dhe më i vështirë ishte vendimi për të mbështetur në vjeshtën e vitit 2021 Sali Berishën. Ishte vendimi për të dalë nga ‘fasada’ opozitë në opozitë të vërtetë. Por kësaj here, betejën nuk e kishit vetëm me qeverinë shqiptare dhe misionarët e saj në PD. Beteja juaj ishte globale. Ishte me kreun e mafies botërore, që ishte Xhorxh Soros. Ky Karl Marksi i post-marksizmit, armik i egër i PD-së dhe vlerave demokratike. Por, edhe një herë, ju u provuat të pamposhtur me zgjidhjet që bëtë”, u shpreh Berisha.

Scroll to Top