Berisha: Vjedhjet e Ramës rrezikojnë anëtarësimin në BE

Berisha: Rama po rrezikon anëtarësimin e Shqipërisë në BE me vjedhjet e tij

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij para protestuesve, e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si armikun më të egër dhe të pamëshirshëm të Shqipërisë.

“Zhvillimet e ditëve të fundit na bëjnë të mblidhemi sot në këtë shesh, në kushte më alarmante. Ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore, në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit,” tha Berisha, duke shtuar: “Ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta përsërisin atë.”

Ai theksoi se Shqipëria është e bekuar me pasuri dhe tradita të mrekullueshme, por për fat të keq, ka përjetuar shekuj me radhë “mallkime” dhe armiq të egër, të cilët i kanë sjellë dëme të mëdha kombit. Berisha përmendi Enver Hoxën si një “armik të egër” dhe “Hitlerin shqiptar të pasluftës së dytë botërore”, duke vënë në dukje se ai e ka qeverisur vendin për 45 vite pavarësisht krimeve të tij.

Duke krahasuar periudhat historike, Berisha tha se “në shekullin e kaluar Shqipëria u mbajt peng 45 vite, ndërsa këtë shekull, Shqipëria po përballet me pasoja akoma më katastrofike.” Ai shtoi se për 13 vitet e fundit, pasojat “rrënojnë çdo ditë vetë ekzistencën e shqiptarëve”.

“Nga Brukseli, BE, për shkak të vjedhjeve të papërmbajtura, dërgohet paralajmërimi më ogurzi, për zhbërjen nga e para të mundit tonë 32-vjeçar plot sakrifica, shpresa dhe ëndrra drejt BE,” tha ai.

Në përfundim, Berisha deklaroi: “Rama është armiku më i pamëshirshëm i të sotmes dhe të ardhmes. Është kërcënimi më i rrezikshëm.”

Scroll to Top