Në Turqi e bëjnë fakt të kryer: Beshiktashi ka marrë vendimin për Kristjan Asllanin
Eliminimi në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë ka bërë që sezoni i Beshiktashit të cilësohet praktikisht i mbyllur. Kjo pasi skuadra nuk mund të bëjë më mirë në kampionat për t’iu afruar ekipeve që ka më lart në renditje.
Kështu, ka ardhur koha për vendime të rëndësishme dhe një prej tyre ka të bëjë me Kristjan Asllanin. Sipas të përditshmes turke “Sabah”, klubi i Stambollit ka marrë vendimin që të mos ushtrojë klauzolën për blerjen e kartonit të pesë lojtarëve që ka marrë në huazim dhe mund t’i nënshkruante përfundimisht gjatë kësaj vere.
Një prej tyre është pikërisht mesfushori i Kombëtares shqiptare, i cili u mor nga radhët e Interit në janar. Që në fillim kishte shumë mëdyshje për Asllanin për shkak të klauzolës së lartë që vendosi Interi, rreth 12 milionë euro. Por tashmë, me fundin e një sezoni pa trofe dhe maksimumi kualifikim në Ligën e Konferencës, në klubin turk nuk e shohin të arsyeshme të paguajnë një shifër të tillë për futbollistin.
Ndaj, pritet që Asllani pas dy javësh të mbyllë eksperiencën e tij të shkurtër te Beshiktashi dhe të kthehet në Itali te Interi. Atje do të jetë në pritje të transferimit në radhët e një klubi tjetër, pasi për të nuk ka hapësira te zikaltrit.
