Mër. Dhj 19th, 2018

Bilisht, drejtorët emërojnë mësues jashtë portalit. Përgjegjësi ngre supet: Jam i pafuqishëm

Pas investigimit të bërë nga “Fiks Fare” mbi shkeljet ligjore të kryera nga ish-përgjegjësi i Zyrës Arsimore të Bilishtit, Alban Fetolli, ai u largua nga puna dhe në vend të tij u komandua Ilir Gjata, punonjës i kësaj zyre. Por, sërish problemet nuk kanë të sosur.

Në “Fiks Fare” mbërriti një ankesë nga një mësuese, e cila pretendon se nuk është duke u respektuar renditja e portalit për mësuesit, të cilët janë jashtë profilit. Ndërsa mësuesit ndihmës janë emëruar pa qenë fare në portal.

“Fiksi” e verifikoi situatën dhe rezultoi se pretendimet ishin të vërteta. Kishte mësues ndihmës të emëruar jashtë portalit, por asnjë nuk mbante përgjegjësi, pasi këto emërime ishin bërë nga drejtuesit e dikurshëm dhe sot duhej të zbatohej Kodi i Punës për largimin e tyre. Në të kundërt do të shkelej ligji.

Ndërsa për sa i takon mosrespektimit të renditjes së portalit, sipas përgjegjësit të ri, janë drejtorët e shkollës që i kanë bërë këto emërime. Në momentin që atyre u është kërkuar informacion, ata kanë justifikuar arsyet për të cilat i mbajnë në punë.

“Ne nuk i kontrollojmë dhe nuk e zhbëjmë dot këtë situatë. Nuk është në kompetencën tonë. Këtu është e nevojshme patjetër të ndërhyjë Inperktoriati i Arsimit, me një inspektim të detajuar”, deklaroi për Fiksin përgjegjësi i komanduar i zyrës, Ilir Gjata.

Tre prej mësuesve jashtë profilit, të emëruar duke mos respektuar renditjen e portalit, janë në gjimnazin “Fuat Babani” në Bilisht. Drejtori i shkollës, Hajri Lilo thotë se, për të mirën e shkollës dhe nxënësve është parë e arsyeshme të mbahen këta mësues matematike, që japin fiskulturë, dhe kanë mbi dy vite eksperiencë, sesa të emërohen të tjerë me pak më shumë pikë, por që s’kanë dhënë asnjë ditë mësim në fiskulturë.

“Edhe pse kanë më shumë se dy vite të emëruar, unë i kam me kontrata 3-mujore, të më lajmërojnë dhe unë nuk ua rinovoj kontratën, por nuk më duket e arsyeshme që të ndryshojmë mësuesit çdo vit, kur në thelb ata nuk janë mësues të fiskulturës, por janë jashtë profilit”, pranoi drejtori, duke u dorëzuar përpara një renditjeje, që sipas tij duhet të funksionojë ndryshe për mësuesit jashtë profilit.

Gjithashtu, largimi i mësuesve ndihmës ka sjellë probleme dhe pakënaqësi te prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, siç është rasti i një djali 6 vjeç, që shkon në klasë të parë dhe është me autizëm. Ai vijon mësimet në shkollën “Bracanj” të Bilishtit. Babai i tij mbytet në lot kur nis të tregojë hallin që e ka zënë atë dhe familjen e tij. Sipas babait, ai është trajtuar nga një mësuese jashtë portalit, por që është e kualifikuar për ta bërë këtë punë. Madje, ai thotë që është i gatshëm të paguajë edhe vet për këtë mësuese, por këtë gjë nuk ia lejon drejtoresha e shkollës. Ajo kërkon të sjellë një tjetër mësuese, edhe ajo jashtë portalit, por që gjatë kësaj periudhe ka qenë me leje lindjeje.

Në shkollën “Bracanj”, drejtoresha e shkollës ka të emëruar dy mësuese ndihmëse, të cilat janë jashtë portalit. Njëra prej tyre kërkohet nga vet prindi që të trajtojë fëmijën, që sipas tyre ka pasur shumë përmirësim me këtë mësuese. “Fiksi” ballafaqoi drejtoreshën me babain e djalit me autizëm.

Drejtoresha sqaroi se emërimi i mësueses që pretendon prindi nuk është bërë nga ajo, pasi shkolla e Kapshticës, ku ka dhënë mësuesja, është bashkuar më vonë më shkollën e saj. Ajo e ka gjetur të emëruar. Ndërsa për mësuesen tjetër ndihmëse, që ka qenë me leje lindjeje, edhe kjo jashtë portalit, emërimi është bërë pasi ka pasur kualifikime.

“Sot nuk është në portal, por vjet ka qenë. Nuk e di pse, por unë nuk mund t’i ndërpres kontratën pasi ka qenë me leje lindjeje dhe duhet zbatuar ligji”, shprehet drejtoresha. Për sa i takon pretendimit të prindit, për ta paguar ai mësuesen, drejtoresha tha se “Unë nuk e di sesa e ligjshme është kjo”.

“Ajo dhe mësuesja tjetër të aplikojnë për në portal dhe në bazë të kualifikimeve të vendosim se kush do ta fitojë vendin e punës”, përfundoi ajo.

InfoPasqyra/tch

Kategori