PAMJET/ Bashkia e Tiranës në alarm pas videos së Florian Binajt
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Florian Binaj, duket se ka kryer një veprim të parë publik në kryeqytet, madje pa qenë ende në detyrë. Publikimi i një videoje mbi malin e inerteve, të lëna pas dore pas shembjes së ndërtimeve pa leje në rrugën “Xhanfize Keko”, mjaftoi që Bashkia e Tiranës të vihej menjëherë në lëvizje.
Në videon e tij, Binaj tallte dhe ironizonte se kishte gjetur “lulishten” më të re në Tiranë. Ai u shpreh me ironi se kjo lulishte e sapo hapur u jepte ajër të pastër jo vetëm banorëve të rrugës “Xhanfize Keko”, por edhe gjithë Tiranës. “Këtu të mbush me frymë lule bukëpeshku, lule llamarine, lule dërrase, lule betoni, lule leshi xhami dhe lule leshi guri,” – tha ai.
Duke vazhduar me një ton sarkastik, ai shtoi se kjo “lulishte” ishte vepër e “dy arkitektëve italianë të famshëm, Xhorxho Lafasulja dhe Xhuljano Lagrumi”, dhe e cilësoi si “lulishtja e parë në botë me dizajn duplex, e cila shkrihet natyrshëm me trotuarin, duke ofruar hapësira për nënat me fëmijë dhe për moshën e tretë”.
“Kjo lulishte është aq e bukur sa mund ta shijoni edhe nga lart,” – përfundon me ironi Binaj, duke lënë të kuptohet se pas këtij “gjelbërimi” fshihet mungesa e kujdesit për hapësirat publike në Tiranë.
Megjithatë, kjo situatë nuk mund të lejohej të dëmtonte imazhin publik. Kështu, në orët e mbrëmjes, aty vërshuan dhjetëra forca të policisë bashkiake, ekskavatorë dhe makina, të cilat brenda natës duhet të zhduknin rrënojat që qëndronin aty prej muajsh.
