Negociatorët e Katarit në Teheran, pritet bisedime për marrëveshjen SHBA-Iran
Negociatorë nga Katari kanë mbërritur në Teheran për të zhvilluar bisedime me qëllim finalizimin e një marrëveshjeje që synon t’i japë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Lajmi u konfirmua nga një burim i njohur me zhvillimet, i cili u citua nga Reuters.
Ky zhvillim vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje kornizë për përfundimin e luftës pritet të nënshkruhet gjatë ditës së sotme. Një deklaratë të ngjashme bëri edhe kryeministri i Pakistan një ditë më parë.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë shprehur skepticizëm lidhur me afatin kohor për arritjen e një marrëveshjeje.
Në një zhvillim të veçantë, Irani është përballur me një sulm kibernetik që ka prekur katër nga bankat më të mëdha të vendit. Sipas Këshillit të Koordinimit të Institucioneve Financiare, sulmi kishte në shënjestër infrastrukturën e përbashkët të komunikimit të përdorur nga Bank Melli, Bank Tejarat, Bank Saderat dhe Export Development Bank of Iran.
Autoritetet thanë se masat mbrojtëse u aktivizuan menjëherë nga ekipet teknike, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme në disa shërbime bankare. Sipas tyre, nuk është raportuar asnjë qasje e paautorizuar në të dhënat e klientëve dhe as nuk janë fshirë informacione.
