Bisedime SHBA-Ukrainë, Zelensky kërkon paqe nga Evropa

Bisedimet SHBA-Ukrainë pa rezultate të qarta; Zelensky i bën thirrje aleatëve evropianë: Jemi të përkushtuar për paqen

Tre ditë negociata mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre amerikanë në Miami kanë përfunduar me një atmosferë pozitive, por pa arritje të dukshme. Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përgatitet të takohet me liderët evropianë më 8 dhjetor për të diskutuar për paqe.

Pak orë pasi Zelensky ka deklaruar se ka pasur një bisedë telefonike “shumë konstruktive” me ekipin negociator amerikan, të udhëhequr nga i dërhuari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Rusia ka vazhduar me sulmet ajrore gjatë natës në infrastrukturë jetike ukrainase, pavarësisht përkeqësimit të kushteve klimatike.

Kryebashkiaku i qytetit qendror ukrainas, Kremençuk, një qendër industriale e rëndësishme, ka raportuar se zona është përballur me një sulm “masiv” që ka shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Deri më tani nuk janë raportuar viktima. Ndërkohë, sulme ajrore ruse kanë goditur edhe qytetin Slloviansk në lindje të Ukrainës, duke plagosur shtatë persona.

Sulmet gjatë natës kanë vazhduar pavarësisht përpjekjeve të intensifikuara për të negociuar përfundimin e luftës. Rusia ka deklaruar se ka rrëzuar 77 dronë ukrainas në rajone të ndryshme gjatë natës.

Pas bisedimeve në Florida, Zelensky u shpreh në Telegram se “Ukraina është e përkushtuar për të vazhduar punën e sinqertë me palën amerikane për të arritur paqen e vërtetë”, duke shtuar se palët janë pajtuar për hapat e mëtejshëm dhe formatin e bisedimeve, pa dhënë më shumë hollësi.

Zelensky do të takohet me aleatët evropianë të hënën në Londër, për të diskutuar procesin e paqes bashkë me Kryeministrin britanik Keir Starmer, Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen tonë të palëkundur. Kjo është thelbi i përpjekjeve që kemi ndërmarrë në kuadër të Koalicionit të Vullnetit,” ka thënë Macron më 6 dhjetor. Presidenti francez ka shtuar se grupi do të bëjë një vlerësim të negociatave për paqe.

Europa ka qenë hezituese ndaj versioneve të para të një plani amerikan për paqe dhe ka tentuar të fitojë mbështetjen e Uashingtonit për propozimet e saj. Macron, Merz, Starmer dhe Zelensky kanë marrë pjesë në një takim virtual rreth dy javë më parë, ku kanë diskutuar planet për angazhimin e një force paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, në rast të një armëpushimi.

Kjo valë angazhimi diplomatik vjen pas rrjedhjes në nëntor të një plani amerikan prej 28 pikash mbi mënyrën sesi mund të përfundojë lufta. Propozimi origjinal është parë në Kiev si shumë i favorshëm për Rusinë, ndonëse deri tani është përditësuar disa herë për të përfshirë shqetësimet e Ukrainës. Versioni i fundit i përditësuar nuk është bërë publik.

Shtëpia e Bardhë i ka nxitur Kievin dhe Moskën të pajtohen për një plan për përfundimin e luftës, por pak përparim është arritur në këtë drejtim, pavarësisht se të dyja palët po diskutojnë ndaras me amerikanët.

“Ne do t’i vazhdojmë këto përpjekje përkrah amerikanëve, për t’i ofruar Ukrainës garancitë e sigurisë pa të cilat nuk mund të ketë paqe afatgjatë,” ka thënë Macron në një postim më 6 dhjetor në X (ish-Twitter). “Rusia është ngujuar në një qasje përshkallëzuese dhe nuk po kërkon paqe,” ka shtuar ai, duke theksuar se “ne duhet të vazhdojmë t’i bëjmë presion Rusisë që ta detyrojmë të arrijë paqe.”

Në një përmbledhje të lëshuar nga pala amerikane pas ditës së dytë të negociatave, më 5 dhjetor, theksohet se si pala amerikane ashtu edhe ajo ukrainase janë të vetëdijshme se përparimi i vërtetë drejt çdo marrëveshjeje varet nga gatishmëria e Rusisë për të treguar përkushtim për paqe afatgjatë.

Shumë aspekte vazhdojnë të jenë të paqarta, përfshirë garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje, apo nëse do të ketë koncesione territoriale. Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë rajone në Donbas, i cili përbëhet prej provincave të Donjeckut dhe Luhanskut.

Bisedimet në Miami janë zhvilluar pas një vizite të Kushnerit dhe Witkoffit në Moskë. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar më 3 dhjetor se delegacioni amerikan pati “një takim shumë të mirë” me Presidentin rus Vladimir Putin dhe se “lideri rus dëshiron t’i japë fund luftës,” pavarësisht se bisedimet nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje.

Pas bisedimeve në Rusi, Putin ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë të takohet me amerikanët “sa herë të ketë nevojë”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e cilëson luftën “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Scroll to Top