Bisedimet mes delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Miami, të cilat synonin arritjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë, përfunduan këtë fundjavë pa rezultate konkrete. Sipas zyrtarëve ukrainas, takimet nuk sollën zhvillime të rëndësishme dhe lanë disa pikëpyetje të hapura lidhur me garancitë e sigurisë dhe çështjet territoriale.
Takimet tre-ditore, të cilat filluan të enjten dhe përfunduan të shtunën, morën pjesë nga emisari amerikan Steve Witkoff, dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, si dhe zyrtarët ukrainas Rustem Umerov dhe Andriy Hnatov.
Ambasadorja ukrainase në SHBA, Olga Stefanishyna, deklaroi se “Çështje të vështira ende mbeten,” duke shtuar se të dyja palët janë duke punuar për gjetjen e zgjidhjeve “realiste dhe të pranueshme.” Ajo theksoi se sfidat kryesore lidhen me territorin dhe garancitë e sigurisë.
Ukraina ka nënvizuar se një përfundim i drejtë i luftës nuk duhet ta detyrojë atë të heqë dorë nga territore të reja dhe duhet të përfshijë garanci të besueshme kundër agresionit rus. Ky qëndrim vjen në një kohë kur Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar gjatë një vizite në Indi se Moska synon të marrë rajonin e Donbasit “me çdo mjet.”
Takimet në Miami u zhvilluan pas një vizite të mëparshme të Kushner dhe Witkoff në Moskë. Presidenti Trump kishte deklaruar se delegacioni amerikan pati “një takim shumë të mirë” me Putinin, megjithëse pa arritur një përparim të prekshëm.
Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi një bisedë “të gjatë dhe konstruktive” me delegacionin ukrainas dhe zyrtarët amerikanë në Miami, duke diskutuar hapat e mëtejshëm drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftimeve. Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që Rusia të mos respektojë marrëveshjet, “siç ka ndodhur në të kaluarën.”
Presidenti Zelensky pritet të takohet të hënën në Londër me liderët e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë për të diskutuar kushtet e paqes dhe ecurinë e negociatave nën ndërmjetësimin amerikan.
Në një zhvillim paralel, Kremlini ka vlerësuar pozitivisht strategjinë e re të sigurisë kombëtare të administratës Trump, e cila hoqi nga dokumenti zyrtar referimin e Rusisë si “kërcënim.” Zëdhënësi Dmitry Peskov e cilësoi këtë “një hap pozitiv,” duke theksuar se dokumenti i ri bie ndesh me qasjen e administratave të mëparshme. Ndërkohë, strategjia riafirmon synimin e Uashingtonit për të shmangur perceptimin e NATO-s si një aleancë në zgjerim të vazhdueshëm dhe thekson rolin e SHBA-së në ruajtjen e stabilitetit strategjik në Evropë dhe me Rusinë.
