Bizneset bllokuar: Sistemi Self-Care, mungon reagimi

Bizneset humbin durimin, mungon reagimi nga Ministria e Financave dhe AKSHI për bllokimin e sistemit Self-Care

Për më shumë se dy javë, bizneset po përballen me probleme të shumta në funksionimin e tyre, për shkak të mosfunksionimit të sistemit “Self-Care”, i cili menaxhohet nga E-Albania. Edhe gjatë ditës së sotme, ekonomistët e subjekteve raportojnë vështirësi në hyrjen në këtë sistem, i cili bie shumë shpesh.

Ditën e djeshme, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), që përfaqëson anëtarë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) me një shkresë. Ajo trajtonte problematikat e përsëritura në sistemin e fiskalizimit, të cilat po sjellin bllokime serioze në aktivitetin ekonomik dhe rrisin rrezikun e penaliteteve ndaj bizneseve për shkaqe që nuk vijnë nga subjektet tatimpaguese.

APL kërkoi një zgjidhje, udhëzim dhe garanci që bizneset të mos bartin kosto dhe përgjegjësi për një problem jashtë kontrollit të tyre. Megjithatë, ata bëjnë me dije se deri më tani nuk kanë marrë asnjë reagim as nga Ministria e Financave, as nga AKSHI.

Problemet që po hasin bizneset janë të shumta:

  • Të vetëpunësuarit e vetëm përdorin sistemin “Self-Care” për fiskalizimin e faturave, pasi ky shërbim u ofrohet pa pagesë. Ndryshe nga bizneset e tjera, të cilat janë të detyruara të blejnë shërbimin nga kompani private të programeve fiskale. Si pasojë e mosfaturimit, bizneset nuk po arrijnë të arkëtojnë të ardhurat mujore.
  • Probleme të tjera përfshijnë mosregjistrimin e certifikatës së re të fiskalizimit, mosfiskalizimin për faturat e importit, apo moskryerjen e rakordimeve të faturave të kontrollit me ato të sistemit.

APL ka paralajmëruar se këto bllokime po sjellin pasoja të drejtpërdrejta:

  • Ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim dhe arkëtime.
  • Kosto shtesë operative (kohë, staf, mbështetje teknike, humbje klientësh).
  • Ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë.

Më tej, APL ka theksuar se kjo situatë ndikon negativisht edhe në arkëtimet tatimore.

Bizneset mbeten në pritje të zgjidhjes së problemit, ose të paktën të kenë transparencë nga institucionet se kur do të bëhet funksional sistemi “Self-Care”, i cili është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e aktivitetit të subjekteve.

Monitor ka mësuar më herët nga burime jozyrtare se një kombinim faktorësh problematikë, duke përfshirë zvarritjen e tenderit të fiskalizimit, përdorimin e zgjidhjeve “open-source” pa kontroll teknik nga AKSHI, si dhe dorëheqjet masive të teknikëve pas nisjes së hetimeve nga SPAK, ka paralizuar shërbimet e e-qeverisjes, veçanërisht ato që përdoren nga bizneset.

Scroll to Top