“`html
Bizneset i detyrohen shtetit 2 miliardë euro, kryesojnë Tatimfitimi dhe TVSH-ja
Detyrimet tatimore të prapambetura të bizneseve shënuan një rritje të ndjeshme vitin e kaluar, duke arritur shumën prej 2 miliardë eurosh. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlera e këtyre detyrimeve arriti në 194.4 miliardë lekë në fund të dhjetorit 2025. Ky shifër përfaqëson një rritje neto prej 31.89 miliardë lekësh, ose 19.6%, krahasuar me fillimin e vitit.
Kjo shumë përfshin gjithashtu një vlerë prej 13.15 miliardë lekësh, rreth 6.8% të totalit, e cila aktualisht është në proces gjyqësor.
Struktura e këtij borxhi tregon se:
- Tatim Fitimi mbetet kategoria më problematike, duke zënë 35.5% të totalit me një vlerë prej 68.97 miliardë lekësh.
- TVSH-ja vjen e dyta, me 32.9% ose 63.89 miliardë lekësh.
Gjatë vitit 2025, këto dy kategori patën edhe rritjen më të madhe, ku vetëm Tatim Fitimi u shtua me mbi 21 miliardë lekë. Pjesa tjetër e detyrimeve ndahet mes Tatimit në Burim, TAP-it, Dividentit (DIVA), sigurimeve shoqërore dhe kategorive të tjera.
Në analizën e përbërjes së borxhit, detyrimi kryesor (principal) përbën 60% të vlerës, ndërsa 40% e mbetur përbëhet nga penalitetet dhe kamatëvonesat e akumuluara.
Mbi 60% e këtij borxhi i përket detyrimeve të papaguara për më shumë se 5 vjet. Megjithatë, administrata tatimore po përqendrohet në arkëtimin e detyrimeve më të reja përmes analizës së riskut, duke synuar parandalimin e vjetërsimit të borxhit të ri.
Sa i përket statusit të debitorëve:
- Tatimpaguesit pasivë mbartin peshën më të madhe, me 66% të vlerës totale.
- Subjektet aktive janë përgjegjëse për rreth 66.9 miliardë lekë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi se për të adresuar këtë situatë, gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë nisma për mbledhjen me forcë dhe inkurajimin e vetë-përmbushjes vullnetare.
Arsyeja kryesore e këtij vëllimi të lartë të borxhit lidhet me strukturën e debitorëve, ku 66% e totalit, rreth 127 miliardë lekë, u përket tatimpaguesve pasivë. Këto janë biznese që nuk ushtrojnë më aktivitet, por detyrimet e tyre mbeten në sistem, duke u rritur çdo muaj nga kamatëvonesat. Kjo krijon një stok borxhi që është i vështirë të arkëtohet, pasi subjektet shpesh nuk kanë asete për t’u sekuestruar.
Mbi 60% e stokut të borxhit i përket detyrimeve që kanë më shumë se 5 vite që nuk janë paguar. Ky borxh i vjetër rëndon bilancin e shtetit, ndërkohë që administrata tatimore po përpiqet të shmangë rritjen e borxhit të ri përmes analizës së profilit të riskut.
TVSH-ja shënoi një rritje të stokut të borxhit prej 6.72 miliardë lekësh në vitin 2025, një tregues ku detyrimi i mbledhur nga konsumatori nuk është derdhur plotësisht në arkën e shtetit.
Një tjetër arsye që shpjegon rritjen është përbërja e borxhit, pasi vetëm 60% e vlerës totale është principal, ndërsa 40% janë penalitete dhe kamatëvonesa.
“`
