Biznesmen Italian i arrestuar në Ekuador, i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar
Një biznesmen italian, i identifikuar si Colonico P., është dënuar me katër vjet burg në Ekuador, pasi u shpall fajtor për prodhim, posedim dhe trafikim të mjeteve të përdorura për falsifikimin e monedhës.
Operacioni i arrestimit u zhvillua në fund të nëntorit, ndërsa Colonico P. ishte ndaluar në shtator në një kompleks banimi privat në Samborondón, provinca Guayas. Mediat e huaja raportojnë se autoritetet e akuzuan atë për lidhje të dyshuara me grupe kriminale shqiptare në Ekuador.
Gjatë bastisjes në banesën e tij, u zbuluan sasi të konsiderueshme parash të falsifikuara, pasaporta dhe dokumente të tjera të falsifikuara. Prokuroria paraqiti në gjyq dëshmi për posedimin e 394,700 dollarëve në monedhë të falsifikuar, të cilat u gjetën në një kuti.
I pandehuri mohoi akuzat, duke pretenduar se paratë u shfaqën vetëm pesë minuta para mbërritjes së policisë dhe se ai thjesht po vizitonte një mik. Megjithatë, prokuroria paraqiti si prova biseda dhe pamje filmike që vërtetonin akuzat.
Në bisedat e regjistruara diskutohej për dërgesa parash me vlera të mëdha. Regjistrimet filmike, sipas prokurorisë, tregonin një person të ngjashëm me Colonico P. duke testuar monedhën e falsifikuar.
Bazuar në provat e paraqitura dhe dëshminë e ekspertit, gjykatësi vendosi ta dënojë biznesmenin italian me katër vjet burg dhe urdhëroi kërkimin e një faljeje publike.
