Bllokohen 75 tonë misër serb në Shqipëri nga AKU

Bllokohen 75 tonë misër nga Serbia në Shkodër

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shkodër ka bllokuar sërish një sasi të konsiderueshme misri të importuar nga Serbia. Këtë herë bëhet fjalë për 75 tonë misër, i cili u ndalua në doganën e Hanit të Hotit për t’iu nënshtruar analizave laboratorike.

Vetëm disa ditë më parë, nga i njëjti subjekt eksportues, AKU kishte bllokuar 25 tonë misër, duke e çuar në 100 tonë sasinë totale të bllokuar deri më tani.

Sipas njoftimit të AKU Shkodër, kontrollet janë ndërmarrë për të përcaktuar nëse produkti përmban nivele të larta të aflatoksinës B1. Aflatoksina B1 është një substancë toksike dhe kancerogjene, e cila mund të tejkalojë normat e lejuara në Shqipëri.

Ndërkohë, autoritetet kanë bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë ka rezultuar se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë.

Nëse konfirmohet prania e substancave të ndaluara, këto mallra nuk do të lejohen të hyjnë në territorin shqiptar.

Scroll to Top