Shkodër, bllokohet kamioni me 25 ton misër nga Serbia
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar një kamion me 25 ton misër, i cili vinte nga Serbia.
Kamioni u ndalua në doganën e Hanit të Hotit, ndërsa po hynte në Shqipëri nga Mali i Zi.
Shkak për bllokimin e kamionit me misër është prania e aflatoksinës B1 në sasinë e misrit, e cila ka rezultuar mbi normat e lejuara për Shqipërinë. Kjo normë është e lejueshme për vendet e Bashkimit Europian, por jo për Shqipërinë, pasi vendi ynë ka standarde të tjera.
Siç raportohet, destinacioni final i misrit ishte qyteti i Elbasanit, ndërsa bëhet fjalë për misër blegtoral.
Aksioni është duke vijuar dhe pritet bllokimi i sasive të tjera të misrit, pasi po kryhen procedurat në doganën e Hanit të Hotit.
Gjithashtu, AKU ka bllokuar edhe një fermë qumështi në fshatin Trush të bashkisë Shkodër, për shkak të disa parregullsive të gjetura atje.
