Blushi i Partisë së Lirisë ngre shqetësime për Shqipërinë në KE

Blushi në takim me raportuesit e Këshillit të Europës: Shqipëria, i vetmi vend anëtar me një të burgosur politik

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një bisedë me bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke paraqitur qëndrimet e kësaj force politike lidhur me situatën demokratike në Shqipëri.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Blushi bëri të ditur se gjatë takimit me Ionut-Marian Stroe dhe Pavel Jablonski, ai ngriti shqetësime për atë që cilëson si hapa pas në zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Europës, veçanërisht sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut.

Blushi theksoi gjithashtu se Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit kanë dështuar, duke iu referuar edhe raportit të Transparency International, sipas të cilit Shqipëria ka pësuar një rënie në renditje krahasuar me një vit më parë.

Në fokus të deklaratave të tij ishte edhe kryeministri Edi Rama, për të cilin Blushi pretendon se ka “kapur institucionet” dhe mbetet pengesë për integrimin europian të vendit. Ai përmendi gjithashtu çështjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe zhvillimet në Kuvend, të cilat sipas tij tregojnë regres në standardet demokratike.

Një tjetër pikë e ngritur gjatë takimit ishte çështja e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të cilin Blushi pretendoi se mbahet në izolim prej më shumë se 18 muajsh, duke e cilësuar si “të burgosur politik”.

Në përfundim, Blushi ritheksoi angazhimin e Partisë së Lirisë për integrimin europian, duke kërkuar rikthimin e vendit në standardet demokratike dhe respektimin e shtetit të së drejtës.

Scroll to Top