Luçiano Boçi: Mbështetni kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi akuzoi sot në Kuvend mazhorancën se po fshehte dosjen e Belinda Ballukut dhe po përdorte procedura për të mos diskutuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres. Ai theksoi se ky nuk ishte imuniteti i Ballukut që po hiqej, por i kryeministrit Edi Rama, duke shtuar se socialistëve u kishte rënë alibia e pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Tani që Gjykata Kushtetuese kishte dhënë vendimin, Boçi kërkoi që Parlamenti të mbyllte seancën dhe të mblidhte me urgjencë Këshillin e Mandateve.
“Para pak kohësh pyeta nëse heziton SPAK-u të marrë nën hetim apo akuzë kryeministrin. Ju reaguan, por ja ku jemi. Ju fshiheni dhe veproni pas procedurave. Mbani aty një kërkesë të SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres. Nuk është në të vërtetë imuniteti i saj, por i kryeministrit. Shpikni dispozita për t’u mbrojtur ju me imunitet nga hetimi. Këtu mungon Bledion Nallbati, pse? Sepse policia juaj e ka goditur me dhunë, sepse për ju ka interes imuniteti juaj dhe jo për të tjerat”, tha Boçi.
Ai më tej akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë ndaj protestuesve dhe deputetit Nallbati.
“Madje na thoni se forcat RENEA nuk njohin deputetin! Kë njohin këta të RENEA-s? Po të kërkuarit a i njohin këta? Le të dalë ministrja, ja tek është, që flet për policë të plagosur, të na thotë sa të kërkuar dhe të kërkuar për krime brenda e jashtë vendit janë arrestuar. Po, RENEA dhe policia arrestojnë adoleshentët. Madje ishin policët që ju kthyen protestuesve me molotov dhe gaz lotsjellës”, vijoi ai.
