VIDEO/ Champions League: Ekipi i Bodø/Glimt hoqi 80 tonë borë nga stadiumi para ndeshjes kundër Interit
Ndeshja do të zhvillohet në temperaturë -6 gradë Celsius. Shikoni pamjet.
Bodø/Glimt po përgatitet për një natë historike sonte (18 shkurt), duke mirëpritur Interin për ndeshjen e tyre të parë eliminatore të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, para fillimit të ndeshjes, ekipi duhej të përballonte dimrin e ashpër dhe kushtet e vështira të krijuara nga reshjet e borës së ditëve të fundit.
“Aspmyra Stadion”, shtëpia e ekipit norvegjez që ndodhet në veri të Rrethit Arktik, u mbulua tërësisht nga dëbora. Për ta bërë të mundur zhvillimin e ndeshjes, u organizua edhe një operacion gjigant pastrimi bore. Sipas mediave ndërkombëtare, drejtuesit e stadiumit u detyruan të hiqnin afërsisht 80 tonë borë nga fusha e lojës dhe tribunat.
Detyra ishte jashtëzakonisht e vështirë, pasi në disa pjesë të ambienteve bora kishte formuar masa që arrinin edhe pesë metra lartësi.
Imazhet e publikuara nga klubi në rrjetet sociale konfirmojnë se misioni u krye dhe stadiumi tani është gati dhe “i gjelbër” për të mirëpritur Kampionët e Italisë.
Megjithatë, kushtet do të jenë ekstreme për lojtarët e Christian Chivu. Parashikimi i motit për kohën e ndeshjes flet për temperatura që arrijnë -6 gradë Celsius, duke krijuar një mjedis sfidues për zikaltrit.
Përveç të ftohtit, Interi do të duhet të përshtatet edhe me barin sintetik të Aspmyra-s, një stadium që ka rezultuar të jetë një “kurth” për skuadra të mëdha. Ju kujtojmë se së fundmi atje humbi Manchester City, ndërsa Tottenham shpëtoi me një barazim. Në të kundërt, Monaco dhe Juventus arritën të fitonin nëntorin e kaluar, por atëherë kushtet e motit ishin sigurisht më të buta krahasuar me mjedisin polar të sotëm.
