Belgjikë: Boksier shqiptar kafshon kundërshtarin serb, por fiton ndeshjen.
Një incident i pazakontë ndodhi gjatë një turneu boksi profesionist në qytetin Leuven të Belgjikës, duke nxitur reagime të forta në Serbi.
Gjatë turneut të quajtur LLN Boxing Night, të shtunën në mbrëmje, më 18 tetor, bokseri serb Djordje Stojkovic dhe ai me origjinë shqiptare, Meriton Karadza, u përballën në kategorinë 67 kg.
Në raundin e katërt, Karadza kafshoi Stojkovicin në shpatullën e djathtë. Ky veprim bëri që serbi të ndalonte luftimin dhe të kapte fort shpatullën e dëmtuar.
Sipas ankesave të palës serbe, gjyqtari i ndeshjes, Michel Maxiuta, në vend që të ndëshkonte Karadza me skualifikim për sjellje josportive, ndaloi ndeshjen dhe e shpalli boksierin shqiptar fitues, duke e regjistruar rezultatin si nokaut teknik.
Federata Serbe e Boksit Profesional reagoi ashpër, duke njoftuar se do të paraqesë një ankesë zyrtare pranë federatës belge. Ata kërkojnë shqyrtimin e videos dhe përmbysjen e vendimit, duke e cilësuar rastin si një skandal.
