Die. Dhj 16th, 2018

BOLIVI – Vidhet në rrethana misterioze medalja presidenciale

LA PAZ, 8 gusht /ATSH-AFP/ – Medalja presidenciale boliviane, bizhuteri historike në ar dhe gurë të çmuar e cila daton nga themelimi i Republikës në vitin 1825 është vjedhur në rrethana misterioze, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Ministria sqaroi në një komunikatë për shtyp se të martën në darkë, medalja presidenciale është vjedhur në rrethana që janë ende objekt hetimi, duke sqaruar se oficeri i ngarkuar për sigurinë e objektit me vlerë është arrestuar dhe ndaj tij ka nisur hetimi.

Objekti në ar i dekoruar me gurë smeraldë ruhej në një dhomë kasafortë të Bankës Qendrore por nxirrej shpesh që aty dhe vihej në dispozicion të presidencës në kontekstin e ngjarjeve zyrtare.

Presidenti bolivian, Evo Morales mbajti medaljen dhe një shall me tri ngjyra, simbolet presidenciale gjatë një ceremonie të organizuar më 6 gusht në Potosi me rastin e 193 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Shërbimet sekrete dhe të gjitha institucionet e Shtetit janë vënë në dispozicion të hetimit për të gjetur brenda një kohe sa më të shkurtër autorët e vjedhjes, vijon komunikata e Ministrisë së Mbrojtjes./

/v.b/

Kategori