Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro apelon dënimin me 27 vite burg për tentativë grushti shteti.
Avokatët mbrojtës të ish-Presidentit brazilian Jair Bolsonaro paraqitën dje një apel kundër dënimit të tij me 27 vjet burg për tentativë grushti shteti. Ky apel vjen tre ditë pasi Gjykata Supreme e Brazilit vendosi që Bolsonaro kishte shteruar të gjitha mjetet ligjore dhe duhet të vuajë dënimin.
Sipas një dokumenti të cituar nga AFP, avokatët e Bolsonaros po kërkojnë “anulimin e procedurës penale” dhe “lirimin e tij nga akuzat”. Ndërkohë, Gjykata Supreme, pasi hodhi poshtë një apel të mëparshëm në fillim të nëntorit, kishte vendosur se të gjitha mjetet ligjore në dispozicion të ish-presidentit ishin shteruar, një pretendim ky i kundërshtuar nga ekipi ligjor i tij.
Bolsonaro, 70 vjeç, ka filluar të vuajë dënimin e tij të martën në selinë e policisë federale në Brasilia. Ai ishte në arrest shtëpiak që nga fillimi i gushtit, por u la në paraburgim si “i dyshuar i arratisur” pasi u përpoq të dëmtonte byzylykun e tij elektronik me një saldator elektrik. Avokatët e tij mohuan këtë akuzë, duke e atribuuar incidentin në një gjendje “konfuzioni mendor” të shkaktuar nga medikamentet që po merrte, por ky justifikim u refuzua nga Gjykata Supreme.
Në shtator, Bolsonaro u shpall fajtor nga Gjykata Supreme për konspiracion, së bashku me oficerë të lartë të forcave të armatosura, me qëllim “qëndrimin e tij autoritar në pushtet” pas fitores së presidentit aktual të Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, në zgjedhjet e tetorit të vitit 2022. Sipas aktakuzës, konspiracioni, i cili përfshinte një plan për të vrarë Lulën, dështoi sepse Bolsonaro nuk arriti të siguronte mbështetjen e udhëheqjes ushtarake.
Pesë nga ish-bashkëpunëtorët e tij, përfshirë disa gjeneralë dhe ish-ministra, gjithashtu kanë filluar të vuajnë dënime me burg nga 19 deri në 26 vjet.
Të mërkurën, Lula deklaroi se Brazili i kishte dhënë botës një “mësim mbi demokracinë”. “Për herë të parë në 500 vitet e historisë së këtij vendi, dikush po burgoset për përpjekje për një grusht shteti”, tha presidenti brazilian.
Gjyqi i Bolsonaros ka shkaktuar tensione diplomatike mes Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi ish-presidenti i ekstremit të djathtë ishte aleat i Donald Trump. Trump, duke e cilësuar si një “gjueti shtrigash”, kishte vendosur tarifa ndëshkuese për importet e disa produkteve braziliane, por i ka ulur ato ndjeshëm pas takimit me Lulën në tetor.
Jair Bolsonaro është ish-presidenti i katërt brazilian që burgoset që nga fundi i diktaturës ushtarake (1964-1985).
