Bolsonaro në paraburgim, pas arrestit shtëpiak

Pas disa muajsh në ‘arrest shtëpiak’, ish-presidenti brazilian përfundon në paraburgim.

Ish-Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, u mor në paraburgim të shtunën nga Policia Federale, duke shënuar herën e parë që ai u transferua në një stacion policie pas muajsh arresti shtëpiak, njoftoi avokati i tij për Reuters.

Bolsonaro vazhdon të apelojë vendimin e Gjykatës Supreme, e cila e ka gjetur atë përgjegjës për sulm ndaj demokracisë braziliane.

Avokati i Bolsonaros, Celso Vilardi, nuk dha një arsye të detajuar për ndalimin, por një burim i afërt me çështjen tha se masa lidhej me kushtet e arrestit shtëpiak dhe u mor si masë paraprake.

Një zëdhënës i Policisë Federale konfirmoi se Bolsonaro i nënshtrohej një kontrolli fillestar mjekësor në Brasilia në mëngjes.

Ish-kreu i shtetit i krahut të djathtë u dënua në shtator me 27 vjet e tre muaj burg për përpjekje për të qëndruar në pushtet pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022 ndaj Presidentit Luiz Inácio Lula da Silva. Gjykata e përshkroi atë si organizatorin kryesor dhe përfituesin e një plani që synonte të pengonte inaugurimin e Lulës në vitin 2023.

Megjithatë, urdhëri final i arrestit nuk është lëshuar ende, pasi Bolsonaro vazhdon procesin e apelit.

Për më shumë se 100 ditë, ai ka qenë nën arrest shtëpiak të rreptë për shkelje të masave kufizuese në një rast të lidhur me përpjekjet e dyshuara për të kërkuar ndërhyrjen e SHBA-së në procedurat penale kundër tij.

Scroll to Top