“`html
Bomba në makinën e gazetarit Ranucci/ Mediat italiane theksojnë “pistën shqiptare”
Gazeta italiane LaCapitaleNews raporton se atentati i ndodhur më 16 tetor në afërsi të shtëpisë së gazetarit Sigfrido Ranuccit mund të ketë një motiv të lidhur me shërbimin investigativ “(Hot) Spot Albanese” të emisionit Report.
Hetimet po thellohen nga DDA (Drejtoria Distriktuale Antimafia) e Romës, me zëvendësprokuroren e përgjithshme Ilaria Calò dhe prokurorin Carlo Villani, mbi përfshirjen e mundshme të Artur Shehut, një sipërmarrës 58-vjeçar i cili aktualisht banon në Miami.
LaCapitaleNews thekson se, ndonëse mbeten të hapura edhe pista të tjera, vëmendja kryesore përqendrohet te ambientet e kriminalitetit shqiptar.
Artikulli i LaCapitaleNews detajon se shpërthimi në fjalë, atentati ndaj Sigfrido Ranuccit i ndodhur më 16 tetor pranë banesës së drejtuesit të Report, po sjell zhvillime të reja hetimore. Në ditët e fundit po merr formë ajo që hetuesit e quajnë ‘pista shqiptare’.
Në qendër të vëmendjes është emri i Artur Shehut, 58 vjeç, sipërmarrës me origjinë shqiptare, i cili në disa investigime gazetareske është përshkruar si i afërt me ambientet e krimit të organizuar në vendin e tij.
Aktualisht, Shehu jeton në Shtetet e Bashkuara, në Florida, në Miami, ku jeton një jetë të rezervuar dhe larg vëmendjes publike. Megjithatë, sipas burimeve hetimore, Drejtoria Hetimore Antimafia ka marrë informacione nga Vlora, në jug të Shqipërisë, mbi përfshirjen e mundshme të 58-vjeçarit në shpërthimin e ndodhur në Romë.
Kjo pistë po ndiqet me kujdes nga Drejtoria Distriktuale Antimafia e Romës, me zëvendësprokuroren Ilaria Calò dhe prokurorin Carlo Villani, së bashku me karabinierët e Njësisë Hetimore të Frascatit dhe të Via In Selci. Grupi hetimor është angazhuar për të rindërtuar çdo detaj të dinamikës së ngjarjes, me qëllim identifikimin e personit që ka vendosur materialisht eksplozivin dhe gjetjen e porositësve të mundshëm.
Motivi i hipotezuar, në këtë fazë, lidhet me një puntatë të Report të transmetuar më 21 prill 2024, me titull ‘(Hot) Spot Albanese’. Shërbimi investigativ trajtonte projektin e qendrave për migrantë të ndërtuara nga Italia në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe mes Romës dhe Tiranës. Në atë kontekst, emri i Shehut përmendej në disa pjesë të emisionit dhe vendosej brenda një rrjeti marrëdhëniesh dhe interesash që prekin ambiente politike dhe institucionale shqiptare.
Në programin e Rai3, 58-vjeçari përshkruhej si një sipërmarrës i përmendur më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të dyshuara me ambientet e krimit të organizuar, përfshirë referenca ndaj Cosa Nostra-s dhe Sacra Corona Unita-s.
Sipas rindërtimit gazetaresk, Shehu do të kishte dhuruar 30 mijë metra katrorë tokë pranë Vlorës fondacionit të gjeneralit Fabrizio Lisi, në atë kohë kreu i Interpolit në Shqipëri. Një operacion që, sipas Report, do të ishte ndërmjetësuar nga avokati Enjell Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i kryeministrit Edi Rama, figurë e konsideruar qendrore edhe në përcaktimin e marrëveshjes për emigrantët.
Emri i Shehut nuk ishte i panjohur as për shtypin amerikan. Në mars 2021, Miami Herald i kishte kushtuar atij një investigim të detajuar, duke përshkruar jetën e tij në një vilë në Miami Beach, në Alton Road, mes palmave dhe makinave luksoze. Ky portret përziente biznesin, lidhje të supozuara të diskutueshme dhe një rrjet ndërkombëtar interesash.
Hetuesit italianë po verifikojnë tani edhe këtë profil, duke kryqëzuar informacionet e mbledhura në Shqipëri me lëvizjet dhe kontaktet e mundshme të 58-vjeçarit në Shtetet e Bashkuara. Kjo është ende një fazë paraprake; nuk ka akuza formale, por një sërë elementësh që po analizohen për të kuptuar nëse ekziston një lidhje konkrete mes investigimit televiziv dhe atentatit.
Megjithatë, pistat mbeten të shumta. Report, ndër vite, ka trajtuar tema të ndjeshme: mafia, korrupsioni, tenderët publikë, trafikimet ndërkombëtare. Hipoteza se atentati mund të lidhet me një investigim specifik nuk përjashton motive të tjera të mundshme.
Hetuesit po vlerësojnë gjithashtu edhe tentativën e ndodhur verën e kaluar për të hyrë në shtëpinë e dytë të gazetarit, një episod që mund të tregojë presion të përsëritur. Në këtë skenar, pista shqiptare duket sot më e ndjekura, por jo e vetmja. Hetimi po vazhdon në disa drejtime, me synimin për të rindërtuar jo vetëm dorën që vendosi eksplozivin, por mbi të gjitha mendjen që do të kishte vendosur të godiste një nga figurat simbol të gazetarisë investigative italiane.
“`
