Pensionistët do të marrin një bonus fundviti duke filluar nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë.
Edhe këtë fundvit, pensionistët do të marrin të njëjtin bonus si vitin e kaluar. Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të Aktit Normativ për rishikimin e tretë të buxhetit të shtetit në Komisionin e Ligjeve, bëri të ditur se 97 milionë euro do të shpërndahen për rreth 750 mijë pensionistë, sipas dy kategorive ekzistuese.
Lidhur me pyetjen e deputetëve për rritjen e pensioneve, ministri Malaj deklaroi:
- “Kush ka pension deri në 20 mijë lekë do të marrë 15 mijë lekë bonus.
- Kush ka pension mbi 20 mijë lekë do të marrë 10 mijë lekë bonus fundviti.”
Ai gjithashtu shtoi se deri në fund të mandatit, pensioni minimal pritet të jetë 200 euro, ndërsa ai mesatar 400 euro. Ministri Malaj theksoi se po punohet me Ministrinë e Ekonomisë për rritjen e pensioneve dhe se përgjigjet për këtë çështje pritet të jenë pjesë e buxhetit të vitit 2026.
Ministri Malaj sqaroi edhe për shumën e parave të shpërndara nga ky Akt Normativ për Albcontrol. Ai shpjegoi se çështja e Albcontrol po trajtohet në arbitrazh. Të ardhurat e Albcontrol merren nga Eurocontrol, përmes një llogarie jashtë territorit të Shqipërisë. Për shkak të proceseve gjyqësore, kjo llogari është përkohësisht e bllokuar. Qeveria, duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të Albcontrol, e mbështet këtë shoqëri në aspektin buxhetor dhe paratë e dhëna do të kthehen sapo të ketë një zgjidhje për çështjen.
Buxheti për vitin 2026, i cili ka kaluar tashmë në Këshillin e Ministrave për miratim, pritet të jetë më i madhi në historinë e Shqipërisë. Një vëmendje e rëndësishme do t’i kushtohet edhe sektorit të bujqësisë. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, buxheti do të kalojë në Komisione dhe më pas në parlament për miratim.
Burime bëjnë të ditur se socialistët kanë rënë dakord që buxheti të diskutohet në parim në parlament më 19 nëntor dhe nen për nen më 11 dhjetor.
