Bonusi i fundvitit/ Zbulohet sa lekë do të marrë çdo pensionist
Pensionistët dhe kategoritë e tjera përfituese do të marrin një bonus fundviti prej më shumë se 5 mijë lekësh. Duke qenë se qeveria ka trefshuar fondin për shpërblimin e fundvitit, pritet të përdoret e njëjta formulë si gjatë vitit 2024 për shpërndarjen e tij.
Kështu, mbi 515 mijë individë që marrin pension deri në 20 mijë lekë do të përfitojnë 15 mijë lekë shpërblim. Pjesa tjetër, ata që marrin mbi 20 mijë lekë, do të përfitojnë 10 mijë lekë shtesë.
“Shpërblimi i fundvitit për pensionistët, i cili në vijimësi ka shënuar si rritje të frekuencës, si edhe një trend rritës të masës së përfitimit, ka gjithmonë në fokus përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të kategorisë vulnerabël të pensionistëve, duke krijuar një siguri në pritshmëritë e kësaj shtrese prej rreth 756 mijë pensionistësh, krahas një besimi të shtuar të tyre për një qasje të vëmendshme dhe suportuese nga ana e qeverisë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, brenda vitit 2029, pensioni minimal pritet të dyfishohet. Nga rreth 10 mijë lekë aktualisht, pagesa mujore për të moshuarit dhe kategoritë e tjera përfituese të pensioneve do të jetë së paku 20 mijë lekë.
Qeveria synon gjithashtu që në katër vitet e ardhshme të dyfishojë edhe pensionin mesatar. Nga rreth 200 euro aktualisht, ai pritet të bëhet 400 euro.
