Bonusi i fundvitit, qeveria miraton shpërblimin për pensionistët. Ja sa do të përfitojnë
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij të fundit, ka miratuar vendimin për dhënien e një shpërblimi për pensionistët dhe kategoritë e tjera përfituese me rastin e festave të fundvitit 2025.
Vendimi përcakton dy nivele shpërblimesh, bazuar në shumën e pensionit ose përfitimit financiar:
- Pensionistët dhe kategoritë e tjera përfituese me pension ose përfitim financiar deri në 20 000 lekë do të marrin një shpërblim prej 15 000 lekësh. Kjo kategori përfshin pensionet e pleqërisë, invaliditetit, pensionet familjare, pensionet sociale, si dhe persona që trajtohen vetëm me përfitime të veçanta financiare sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, këtë shumë do ta përfitojnë fëmijët në përkujdesje të Republikës, veteranët e LANÇ-it, personat që marrin pension për vjetërsi shërbimi deri në 20 000 lekë, si dhe punonjësit që kanë punuar në miniera, industri ushtarake, metalurgji apo sektorë të tjerë të përcaktuar me ligj.
- Pensionistët dhe përfituesit e tjerë, të cilët marrin pension ose trajtim financiar mbi 20 000 lekë, do të përfitojnë një shpërblim prej 10 000 lekësh. Kjo kategori përfshin pensionet e pleqërisë, trajtimet e veçanta financiare sipas ligjeve specifike, pensionet suplementare për funksione kushtetuese dhe përfituesit e pensioneve të vështirësisë së profesionit me masë mbi 20 000 lekë.
Të gjithë përfituesit, pavarësisht kategorisë, do të marrin shpërblimin një herë të vetme. Ky rregull vlen edhe për ata persona që fillojnë të marrin përfitime deri më 31 dhjetor 2025.
Fondi total i parashikuar për këtë shpërblim arrin në 10.4 miliardë lekë. Nga kjo shumë, mbi 10.3 miliardë lekë janë të destinuara për pagesat ndaj përfituesve, ndërsa mbi 72 milionë lekë janë për shpenzimet administrative të procesit.
Shpërblimet do të kreditohen në llogaritë e pensionistëve gjatë muajit dhjetor 2025 dhe do të paguhen brenda këtij muaji. Pagesat që nuk kryhen deri në fund të vitit 2025, do të mund të realizohen deri më 30 qershor 2026. Shpërblimet e patërhequra pas kësaj date do të parashkruhen.
