Lufta/ Ministrja Ibrahimaj njofton se mund të rikthehet Bordi i Transparencës
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se çmimi i naftës po monitorohet nga një forcë e posaçme (task force), e cila do të kontrollojë përditë tregun për të parandaluar abuzimet. Ajo shtoi se situata aktuale nuk kërkon ngritjen e Bordit të Transparencës, por theksoi se ky mekanizëm do të rikthehet nëse rritja e çmimeve do të vijojë.
“Diskutuam për situatën ekonomike dhe çmimet e karburanteve. Zhvilluam një takim me kompanitë dhe Shoqatën e Hidrokarbureve. Arsyeja për të ngritur alarmin për rritjen e çmimeve në javët e fundit është ndikimi afatgjatë i luftës. Kemi diskutuar detyrimin që ata kanë për rezervat. Ne po monitorojmë si çmimet bazë për naftën, benzinën dhe gazin, ashtu edhe çmimin me të cilin karburanti del nga dogana, si dhe çmimin në tabela për shitje. Gjatë krizës së viteve 2022-2023, kur çmimet u rritën, kishim një bord transparence që monitoronte dhe vendoste për çmimet e shitjes. Konsiderojmë se situata nuk është në nivelin për ngritjen e bordit, por nëse do të ketë rritje të mëtejshme, do të hyjmë në atë regjim”, tha Ibrahimaj për mediat pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.
Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, i ngritur gjatë krizës së vitit 2022, u shoqërua me kundërshtime të mëdha pasi çmimi i naftës arriti nivele rekord. Në atë kohë, qeveria Rama u akuzua nga opozita dhe ekspertë të tregut se bordi nuk po mbronte interesin e qytetarëve për çmime më të ulëta, por po shërbente për të mbrojtur interesat e kompanive të mëdha të naftës. Tani, në kushtet e rritjes së tensioneve ndërkombëtare dhe të luhatjeve të çmimeve për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, qeveria paralajmëron se ky mekanizëm mund të rikthehet sërish.
