Borxhe të fshehura: 1.7 miliardë euro falje, emra sekretë

Fshihen 1.7 miliardë euro borxhe, emrat e biznesmenëve të mëdhenj përfitues mbahen sekret

Në Kuvend u miratua projektligji për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, i cili parashikon fshirjen e rreth 1.7 miliardë eurove borxhe tatimore dhe doganore të akumuluara ndër vite. Ky projektligj përfshin gjithashtu një amnisti të sofistikuar për paratë e padeklaruara të bizneseve.

Opozita, megjithëse nuk e kundërshton nismën në thelbin e saj, ngre si shqetësim kryesor mungesën totale të transparencës. Kjo mungesë është veçanërisht problematike duke pasur parasysh se bëhet fjalë për faljen më të madhe të borxheve në 34 vite.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj drejtuar Ministrit të Financave, theksoi se një amnisti me këto përmasa nuk mund të miratohet “symbyllur”. Ajo u shpreh:

“Patëm një debat në komisionin e ekonomisë në lidhje me listën e përfituesve të shlyerjes së borxheve që janë 1.7 miliardë euro, 202 mijë tatimpagues… Kjo është falja më e madhe e borxheve që ndodh këto 34 vite. A ka përfitues të akuzuar për evazion fiskal, korrupsion, që kanë marrë tendera nga qeveria, që janë koncensionarë të qeverisë shqiptare? Në këtë parlament, s’mund të votojnë edhe kolegët pa ditur kush janë përfituesit… Lista e përfituesve duhet të jetë transparente. S’mundet ky parlament symbyllasi t’i falë detyrimet tatimpaguesve ndërkohë që qindra-mijëra biznese janë mbyllur për shkak të taksave të larta.”

Për zonjën Tabaku, transparenca nuk është çështje politike, por një detyrim, sidomos kur vlera e faljes arrin nivele të papara më parë në Shqipëri.

Rama: Një marrëveshje e re me biznesin!

Ministri i Financave, Petrit Malaj, pranoi se lista e përfituesve përfshin 202 mijë tatimpagues, por shtoi se publikimi i emrave mund të bëhet vetëm me kërkesë zyrtare të Kuvendit. Qeveria argumenton se “Paqja Fiskale” nuk ka karakter penal, por shërben si një instrument teknik për të mbyllur borxhe të parashkruara dhe për të formalizuar më tej ekonominë. Sipas Malajt, ligji synon të pastrojë përfundimisht bilancet e vjetra dhe të krijojë një platformë vullnetare për bizneset që duan të jenë të rregullta, duke u mundësuar atyre një marrëveshje 3-vjeçare me administratën tatimore.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, kompanitë mund të rrisin fitimin e deklaruar me të paktën 18% krahasuar me vitin paraardhës. Fitimi shtesë do të tatohet me normën e zakonshme, ndërsa çdo fitim mbi këtë nivel do të tatohet me vetëm 5%. Gjithashtu, ato mund të rideklarojnë bilancet e tre viteve të fundit, të përfshijnë në bilanc pasuri të paregjistruara ose të fshijnë detyrime fiktive, duke paguar një tatim të butë prej 5% mbi diferencat. Qeveria e cilëson këtë si një mënyrë për të sjellë më shumë transparencë në pasqyrat financiare, ndërsa kritikët e shohin si një derë të hapur për bizneset e mëdha për të “rregulluar” llogaritë me kosto minimale.

Kryeministri Edi Rama u shpreh shkurtimisht në kuvend, duke folur për lehtësime për biznesin e vogël, rritje pagash dhe një “marrëveshje të re” me sipërmarrjen. Ai njoftoi se biznesi i vogël do të vijojë të jetë i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin deri në fund të mandatit:

“Deri në vitin 2029 biznesi i vogël nuk do të paguajë tatim fitimi”, tha Rama. “Marrëveshja e Paqes Fiskale… synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta… Sipërmarrjet mund të angazhohen për të rritur fitimin e tatueshëm me 18% krahasuar me vitin e kaluar, dhe ky fitim do të taksohet vetëm 5%. Kjo është një marrëveshje e re, kuptimplotë dhe transparente,” u shpreh kryeministri.

Çfarë nënkupton realisht kjo iniciativë?

Projektligji, nëse miratohet, do të fshijë borxhe tatimore të akumuluara për më shumë se një dekadë. Borxhet mbi 10 vite shuhen tërësisht. Ato 5-10 vjeçare shuhen pjesërisht, me kushte të caktuara. Ndërsa borxhet më të reja nga 1-5 vite lirohen nga gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që të paguhet vetëm tatimi.

Paralelisht, kompanitë mund të rideklarojnë bilancet, të “jetësojnë” pasuri të mbajtura jashtë bilancit, të fshijnë borxhe të rreme ose të legalizojnë cash të padeklaruar, duke paguar vetëm 5% tatim mbi diferencën dhe pa rrezikuar kontrolle tatimore për atë proces. Me fjalë të thjeshta, qeveria po i jep fund një kapitulli të vjetër borxhesh të papaguara, duke hapur një kapitull të ri ku bizneset që duan të tregojnë fitim real, ose të korrigjojnë llogaritë e viteve të kaluara, e bëjnë këtë me një tatim minimal dhe me sigurinë e mosndërhyrjes nga kontrolli tatimor.

Për bizneset e mëdha, kjo mund të jetë një mundësi e artë për të legalizuar bilancet me kosto minimale. Dhe pikërisht këtu qëndron shqetësimi kryesor: nëse lista e përfituesve nuk publikohet, veçanërisht për detyrime të mëdha, nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se kush ka përfituar më shumë nga një falje prej 1.7 miliardë eurosh. Në mungesë të transparencës, është e natyrshme të lindë dyshimi se edhe kompanitë më të mëdha, ato që kanë përfituar tendera, koncesione apo janë nën hetime për evazion, janë mes përfituesve të heshtur.

Scroll to Top