Borxhi i sigurimeve shoqërore arrin 200 milionë euro

Bizneset i kanë borxh individëve 190 milionë euro sigurime të papaguara

Detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore kanë kaluar vlerën e 20.2 miliardë lekëve, që përkthehet në rreth 200 milionë euro. Kjo shifër shënon një rritje prej mbi 9% krahasuar me vitin 2023, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) pas një inspektimi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Nga shifra totale, rreth 18.9 miliardë lekë (rreth 190 milionë euro) përfaqësojnë detyrime të mbajtura nga bizneset, ndërsa pjesa tjetër bie mbi ndërmarrjet buxhetore.

Entet publike zotërojnë 6% të totalit të detyrimeve për sigurime, me një vlerë mbi 1.2 miliardë lekë. KLSH konstaton se, edhe pse numri i debitorëve në sektorin publik ka rënë nga 823 në vitin 2023 në 724 subjekte në 2024, vlera totale e detyrimeve të papaguara është rritur ndjeshëm, me rreth 469 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Rritja është veçanërisht e theksuar tek institucionet jo-buxhetore, ku detyrimet pothuajse janë dyfishuar.

Në sektorin privat, situata është përkeqësuar më tej. Numri i subjekteve debitorë është rritur me 10,606 në vitin 2024, duke arritur totalin në gati 120 mijë biznese. Detyrimet e papaguara në sektorin privat janë shtuar me 1.3 miliardë lekë të tjera në vitin 2024, duke e çuar totalin e detyrimeve në këtë kategori në më shumë se 18 miliardë lekë.

Bizneset e vogla zotërojnë pothuajse 39% të detyrimeve totale të sigurimeve, që përkthehet në 7.85 miliardë lekë. Subjektet juridike (bizneset e mëdha) mbartin peshën kryesore të borxhit, me 54.9% të totalit, ose mbi 11.1 miliardë lekë.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Tatimeve në shtator 2024, ISSH ka paralajmëruar se borxhi në rritje ndikon drejtpërdrejt në përfitimet e individëve. Për shkak se shumë punëdhënës nuk kanë shlyer kontributet, një numër i konsiderueshëm punonjësish nuk mund të marrin shërbime nga skema e sigurimeve shoqërore, pasi listë-pagesat rezultojnë të paverifikuara.

KLSH ka sugjeruar bashkëpunim më të fortë mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), për të garantuar administrimin e rregullt të kontributeve dhe uljen e stokut të detyrimeve të papaguara, i cili vijon të jetë progresiv çdo tremujor.

Në total, detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore për vitin 2024 përfshijnë 17.18 miliardë lekë principal, 2.08 miliardë lekë gjoba dhe 968 milionë lekë interesa, duke çuar vlerën e përgjithshme të borxhit në 20.22 miliardë lekë.

KLSH zbuloi se stoku i borxhit në detyrimet e papaguar u rrit me rreth 9.6% krahasuar me një vit më parë. Kjo situatë reflekton rënien e disiplinës së bizneseve për pagesën e sigurimeve të punonjësve, përkeqësimin e situatës financiare të bizneseve, si dhe dobësitë në administrimin e detyrimeve në sektorin publik.

Në vitin 2023, totali i detyrimeve ishte rreth 18.46 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2024 kaloi 20 miliardë lekët, duke thelluar më tej presionin mbi sistemin e sigurimeve shoqërore dhe duke krijuar pasoja të drejtpërdrejta për punonjësit, të cilëve nuk u njihet kontributi për shkak të mos-shlyerjes nga punëdhënësit.

Scroll to Top