Borxhi Publik në Shqipëri: Rritja absolute, rënia relative

“`html

Përfundon stanjacioni i stokut të borxhit në lek

Nga Koço Broka, Ekonomist

Stoku i borxhit gjithsej përbëhet nga borxhi i Qeverisë Qendrore, ai lokal dhe borxhi i garantuar.

Borxhi i Pushtetit Lokal në vendin tonë ka përmasa të vogla dhe aktualisht minimale, duke shkuar drejt zeros. Nivelin më të lartë të tij e kishte në vitin 2015 me 957 milionë lekë, për të mbërritur vetëm në 11 milionë lekë në fund të vitit 2025.

Borxhi i Garantuar i Qeverisë Qendrore, si një pjesë, ndonëse e vogël por e dukshme e stokut të borxhit gjithsej, e ka pasur nivelin më të lartë në vitin 2015, kur ishte 56 miliardë lekë. Nga ai vit ai ka rënë, dhe në vitin 2021 u rrit përsëri për të mbërritur në 54.9 miliardë lekë. Më tej ai ka rënë vazhdimisht për të mbërritur në 29.1 miliardë lekë në fund të vitit 2025.

Dinamika e tij ka ndikuar në uljen e stokut të borxhit gjithsej, i cili në thelb ka të bëjë më borxhin e Qeverisë. Kështu që ecuria e borxhit publik gjithsej në vitet e fundit paraqitet si më poshtë:

  • 2021: 1,382.9 miliardë lekë
  • 2022: 1,378.6 miliardë lekë
  • 2023: 1,362.8 miliardë lekë
  • 2024: 1,365.0 miliardë lekë

Por kjo rënie apo luhatje e lehtë ndërpritet në vitin 2025, kur stoku i borxhit publik rezultoi 1,401.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 36.5 miliardë lekë krahasuar me vitin paraardhës 2024. Ai paraqitet edhe në grafikun Nr. 1.

Burimi: Ministria e Financave

Të dhënat dhe pamja e grafikut flasin qartë për këdo kur bëhet fjalë për ecurinë e stokut të borxhit publik të shprehur në terma absolute në lek. Pas një rënieje dhe luhatjeje të lehtë, ai shënon një rritje të dukshme.

Ecuria e stokut të borxhit publik të qeverisë qendrore dhe për rrjedhojë atij gjithsej në lek gjatë kësaj periudhe, sidomos deri në vitin 2024, është ndikuar së pari nga:

  • a) Politika e fortë e konsolidimit fiskal që është ndjekur, sidomos pas vitit 2021 kur u rrit dukshëm borxhi publik si rrjedhojë e masave për rindërtimin e shtëpive nga tërmeti i vitit 2019, por edhe efekti i Covid-19, i shoqëruar nga ndërprerja e punës në shumë sektorë të ekonomisë gjatë pranverës së vitit 2020.
  • b) Së dyti, si rrjedhojë e ndikimit të forcimit të lekut sidomos ndaj euros, por edhe monedhave të tjera. Kjo duket më qartë nga të dhënat e grafikut Nr. 2.

Burimi: Ministria e Financave

Siç mund të shihet lehtësisht nga të dhënat e grafikut Nr. 2, ku prezantohet ecuria e deficitit të buxhetit të shtetit, ai ka rënë:

  • 2020: -110.6 miliardë lekë (-6.7%)
  • 2021: -85.3 miliardë lekë (-4.6%)
  • 2022: -78.2 miliardë lekë (-3.7%)
  • 2023: -31.3 miliardë lekë (-1.4%)
  • 2024: 18.2 miliardë lekë (0.7%) (korigjim: ky duhet të jetë një suficit, jo deficit)

Ky konsolidim fiskal në vitin 2023 është bërë pjesërisht në dëm të pensionistëve, kur nuk u zbatua as detyrimi i plotë ligjor për indeksimin e pensionit në përputhje me nivelin e inflacionit. Por në tërësi, për këto vite, kjo rënie e deficitit të buxhetit është rrjedhojë e shtesës relativisht të lartë të të ardhurave buxhetore gjatë viteve 2021-2024. Është kjo rritje e të ardhurave buxhetore që ka mundësuar një rritje të dukshme të pagave në sistemin publik, si atë të qeverisjes qendrore, ashtu dhe atë vendore.

Është e njohur se borxhi publik nuk është gjë tjetër veçse deficit buxhetor i akumuluar, që gjithsesi gjatë këtyre viteve ka pasur në fund të fundit shifra jo të pandjeshme. Por në fakt, borxhi publik ka rënë si në terma relativë. Si shpjegohet kjo?

Për këtë, le t’i hedhim një sy ecurisë së stokut të borxhit publik të brendshëm por dhe të jashtëm. Kjo duket qartë nga të dhënat e Grafikut Nr. 3.

Burimi: Ministria e Financave

Në Grafikun Nr. 3 paraqitet ecuria e stokut të borxhit publik në lek, i detajuar në borxh publik të brendshëm dhe borxh publik të jashtëm. Nga të dhënat e grafikut vihet re se stoku i borxhit publik të brendshëm është rritur nga një vit në tjetrin:

  • 2021: 702.6 miliardë lekë
  • 2022: 732.9 miliardë lekë
  • 2023: 741.9 miliardë lekë
  • 2024: 788.4 miliardë lekë
  • 2025: 831.9 miliardë lekë

Pra, stoku i këtij borxhi është rritur nga një vit në tjetrin.

Por nuk ka ndodhur kështu me stokun e borxhit të jashtëm, i cili i shprehur në lek është produkt i disa faktorëve si transaksionet e borxhit të jashtëm, përmasat e tërheqjes së tij, shërbimit të tij, pagimit të tij si për principalin dhe interesat, por dhe të efektit të kursimit të këmbimit Lek për 1 Euro. Rezultantja e këtyre faktorëve është shoqëruar në tërësi me një rritje të tij, në euro e veçanërisht në vitin 2023.

Por kur vjen puna në shprehjen e tij në terma absolute në lek, në tërësi ka rënë:

  • 2021: 680.4 miliardë lekë
  • 2022: 645.8 miliardë lekë
  • 2023: 620.9 miliardë lekë
  • 2024: 576.6 miliardë lekë
  • 2025: 569.7 miliardë lekë

Në këtë ecuri ka ndikuar dukshëm ecuria e kursit të këmbimit, të shprehur në Grafikun Nr. 4.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Forcimi i lekut ndaj euros nga ana e vet ndikon në rënien e stokut të borxhit të jashtëm, por dhe shërbimit të tij kur shprehet në lek, pavarësisht nga rritja e tij në euro.

Natyrshëm, duke evidentuar rritjen e borxhit publik në terma absolute në lek, nuk mund të mos vihet re se në terma relativë ai ka vazhduar të bjerë. Kjo duket qartë nga Grafiku Nr. 5 dhe të dhënat e tij.

Burimi: Ministria e Financave

Në grafikun Nr. 5 prezantohet ecura e stokut të borxhit publik në terma absolute në lek gjatë viteve 2021-2025, ecuria e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë kësaj periudhe, por edhe ecuria e stokut të borxhit publik përkundrejt PBB.

Përsa i përket ecurisë së stokut të borxhit publik në lek, nuk po ndalem, pasi lexuesi është njohur më lart. Një aspekt i rëndësishëm në Grafik është ecuria e PBB, i shprehur në terma nominale në lek, i cili është rritur:

  • 2021: 1,866.7 miliardë lekë
  • 2022: 2,149.7 miliardë lekë
  • 2023: 2,364.3 miliardë lekë
  • 2024: 2,517.8 miliardë lekë
  • 2025: 2,642.6 miliardë lekë

Në këtë ecuri ka pasur ndikimin e vet ecuria relativisht e mirë e ritmit real të rritjes të Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërsa në vitet 2021, 2022 dhe 2023, një ndikim të ndjeshëm ka luajtur dhe ritmi relativisht i lartë i deflatorit, duke mundësuar një shtesë në përmasa të mëdha në tregues absolutë, por edhe relativë të rritjes të PBB nominale të shprehur në lek. Kjo, nga ana e vet, ka ndikim të drejtpërdrejtë në rënien e stokut të borxhit publik në përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto.

Ky tregues ka rënë:

  • 2021: 74.09%
  • 2022: 64.13%
  • 2023: 57.64%
  • 2024: 54.21%
  • 2025: 53.04%

Pra, megjithë rritjen e dukshme të stokut të borxhit publik, në kushtet e vazhdimit të efektit të kursimit të këmbimit por dhe rritjes së kënaqshme të PBB nominale për vitin 2025 rreth 5% dhe asaj reale afro 4% në vit, është mundësuar rënie në terma relative e stokut të borxhit publik.

Kjo dëshmon dhe për sfidën që është shtruar para ekonomisë sonë: ruajtjen e ritmeve të kënaqshme të rritjes të PBB-së në të ardhmen. Kjo për faktin se dy vitet e fundit kanë rënë Produkti i Brendshëm Bruto në bujqësi e industri, dy degët kryesore të prodhimit. Po t’u shtohen këtu sfidat e faktorëve demografikë, plakja e popullsisë, pakësimi i popullsisë në moshë pune, vështirësia për të gjetur jo vetëm punëtorë të specializuar e kualifikuar, por punonjës në tërësi, është e qartë se kambana e rritjes në terma absolute të borxhit publik, megjithë rënien e tij në terma relativë, ia vlen të dëgjohet për të ndërmarrë politika të zgjuara nga ana e qeverisë, por dhe ku aktorët e tjerë, e sidomos biznesi, t’u përgjigjen atyre.

“`

Scroll to Top