“`html
Erion Braçe: Alarmi për aflatoksinën uli çmimin e qumështit vendas nga 55 në 47 lekë për litër, prodhimi ynë po zëvendësohet me qumësht importi
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka denoncuar sërish atë që ai e ka cilësuar si “histeria me qumështin me aflatoksinë”. Sipas tij, kjo histeri ka pasur si qëllim dëmtimin e blegtorëve shqiptarë dhe orientimin e tregut drejt importit.
Braçe është shprehur se, sipas dokumenteve zyrtare të AKU-së, nga dhjetori i vitit të kaluar deri më 31 mars të këtij viti, janë regjistruar vetëm 5 raste me aflatoksinë.
“Alarmi i madh për Aflatoksinën apo qumështin kancerogjen të lopëve ka rënë plotësisht! E dokumentuar rezulton që nga dhjetori i vitit që shkoi dhe deri në 31 mars të këtij viti, rezulton që janë 5 mostra qumështi fermerësh me aflatoksinë, asnjë më shumë se kaq. Kur plasi alarmi në janar, iu drejtova AKU-së dhe mora përgjigje që vetëm një rast me Dimal, i lidhur me kompaninë e qumështit Erzeni, ishte ai që kishte rezultuar me aflatoksinë mbi norma. Më pas, në komunikime me AKU, rezultuan vetëm 4 raste të tjera,” thekson Braçe.
DENONCIMI
Erion Braçe, në reagimin e tij, thekson se krijimi dhe përhapja e lajmeve për qumësht kancerogjen ka shkaktuar një dëm të madh tek blegtorët dhe rënien e çmimit të qumështit.
“HISTERIA E PAGUAR KUNDER QUMESHTIT NE MYZEQE u shoqërua me MOSGRUMULLIM TE QUMESHTIT NGA BLEGTORET në fillim dhe ULJEN E CMIMIT TE QUMESHTIT NGA 55 në 47 LEKE PËR LITER! ULJA E CMIMIT ishte qëllimi i gjithçkaje, e detyruar nga skema dëmtuese me TVSH-0% në blerje dhe 20% në shitje, e shtuar nga ligji që kompesonte fermerin me 10% të vlerës së çdo fature! ULJA E CMIMIT NGA 55 në 47 LEKE PËR LITER, nxjerr me fitim grumbulluesit dhe përpunuesit duke e bërë të mundur prerjen e faturës!”, thekson ai.
Po ashtu, sipas deputetit të PS, u shtuan ndjeshëm importet e qumështit nga vendet e rajonit.
“Prodhimi vendas po zëvendësohet me qumësht importi, 11.5 milionë litra në 2024 dhe 7.3 milionë litra në 2025! Vjet në nëntor e paralajmërova që do ndodhte kjo në Parlament – ja ku e keni të ndodhur; sot me dhimbjen, blegtorët prodhues dhe vijoj të pyes: Pse nuk dëgjoni?! Për #MYZEQENE do bëj gjithçka, kudo që të jem!! MYZEQEJA USHQEN TIRANËN, Kujtojeni këtë!”, thekson Braçe.
“`
