Braho merr drejtimin e SPAK-ut, Dumani i uron suksese

Altin Dumani i kalon stafetën, Klodian Braho merr detyrën e re si kreu i SPAK-ut

Klodian Braho mori sot zyrtarisht detyrën si drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke zëvendësuar Altin Dumanin. Siç ishte parashikuar, ceremonia filloi në orën 10:00, ku Altin Dumani i dorëzoi detyrën Klodian Brahos, i cili u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK-ut disa ditë më parë, duke marrë 7 vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Dumani i uroi suksese pasardhësit të tij, Brahos, në këtë rrugëtim. “Sot mbyllet një nga kapitujt më sfidues të karrierës sime. Është një privilegj i madh dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Jemi përballur me sfida dhe presione, por SPAK-u është sot më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Dua të falënderoj çdo punonjës për përkushtimin dhe sakrificat,” -tha Dumani.

Po kush është kreu i ri i SPAK-ut?

Klodian Braho ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Ai ka drejtuar hetimet për çështje të shumta “të nxehta” që lidhen me politikën. Braho ka hetuar dosjen e inceneratorit të Elbasanit, duke nxjerrë urdhër-arreste për persona si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si dhe ka ndarë hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati.

Gjithashtu, Braho ka hetuar dosjen 5D, duke dërguar në gjyq ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar prej tij është ajo e njohur si “Toyota Auris”, ku janë të përfshirë edhe shumë persona nga sistemi i drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa pjesë dhe po hetohen edhe drejtime të tjera të saj.

Për më tepër, Klodian Braho është pjesë e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” lidhur me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërçecit.

Scroll to Top