Brazil: 132 të vrarë në bastisje policore në Rio de Janeiro

Brazil: Numri i të vrarëve gjatë bastisjeve policore në Rio de Janeiro shkon në 132

Numri i personave të vrarë gjatë një operacioni policor vdekjeprurës në qytetin Rio de Janeiro të Brazilit ka arritur në 132, sipas zyrtarëve brazilianë. Ky numër dyfishon shifrën e raportuar të martën, pas operacionit policor të zhvilluar në lagjet e varfra Alemao dhe Penha, në veri të qytetit, raporton televizioni BBC.

Zyra e mbrojtësit publik, e cila ofron ndihmë juridike për shtresat e varfra, bëri publike shifrën e re të viktimave pasi banorët identifikuan dhjetëra trupa në një shesh në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Ky ishte operacioni policor më vdekjeprurës në qytetin e njohur, ku autoritetet prej dekadash po përpiqen të frenojnë bandat që kontrollojnë shumë nga lagjet e varfra.

Lidhur me shifrën e dhënë nga zyra e mbrojtësit publik, guvernatori i shtetit Rio de Janeiro, Claudio Castro, deklaroi se puna forenzike ishte ende në zhvillim dhe se shifra zyrtare e të vdekurve që i është raportuar ishte 58, megjithatë, ai shtoi se ishte “i sigurt se kjo shifër do të ndryshojë”.

Sipas ministrit të Drejtësisë, presidenti Luiz Inacio Lula da Silva është i tronditur nga numri i të vdekurve dhe ka shprehur gjithashtu habinë e tij për mosinformimin paraprak të qeverisë federale.

Scroll to Top