Britania akuzon Kinën për spiunazh, tensione diplomatike

Britania akuzon Kinën për spiunazh, Pekini i cilëson pretendime si “fantazi të sëmura”

Zëdhënësi i ambasadës kineze në Londër ka hedhur poshtë akuzat e shërbimit britanik të kundërzbulimit (MI5) se Kina po spiunon anëtarë të parlamentit britanik, duke i cilësuar ato si “fantazi të sëmura” dhe “shpifje dashakeqe”.

Më herët gjatë ditës, ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, njoftoi në Dhomën e Komuneve se MI5 u ka dërguar deputetëve një paralajmërim zyrtar për spiunazh. Sipas tij, qëllimi është t’i njoftojë ata për “sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve tona demokratike nga agjentë kinezë”.

Jarvis theksoi se siguria kombëtare është prioritet absolut, veçanërisht tani që qeveria po shqyrton mundësinë e miratimit të ndërtimit të një ambasade të re kineze në Londër.

“Këto pretendime të Britanisë së Madhe janë krejtësisht të sajuara dhe shpifje me qëllim të keq. I dënojmë ashpër këto veprime të neveritshme të palës britanike,” thuhet në deklaratën e ambasadës kineze.

Sipas Reuters, kryetari i Dhomës së Komuneve, Lindsay Hoyle, dhe homologu i tij në Dhomën e Lordëve u kanë shpërndarë të dyja dhomave një ‘njoftim të ri për ndërhyrje’ nga shërbimet e sigurisë. Ky njoftim paralajmëron për rrezikun që paraqesin spiunët kinezë.

Hoyle deklaroi se Ministria kineze e Sigurisë Shtetërore “po komunikon në mënyrë aktive me persona në rrethin tonë” dhe synon të mbledhë informacione dhe të ndërtojë marrëdhënie afatgjata. Ai shtoi se kjo bëhet duke përdorur platforma profesionale si LinkedIn, agjentë rekrutues dhe konsulentë që veprojnë në emër të Pekinit.

Ai paralajmëroi se dy persona të identifikuar po përdorin pikërisht LinkedIn për të kryer “një fushatë të gjerë afrimi” në emër të qeverisë kineze.

Scroll to Top